Ajola Xoxa shpërdoroi 18 mijë USD të Ambasadës së SHBA

Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se një fond prej 18 mijë dollarësh, i dhënë nga Ambasada Amerikane për një projekt social-kulturor organizatave jo qeveritare te Ajola Xoxës, është përdorur për një darkë luksoze në një hotel ne Tirane, ndërsa pjesa tjetër e parave mbetet e pajustifikuar. Në dosjen zyrtare të SPAK, përmenden fatura fiktive dhe komunikime të brendshme të stafit të Ajola Xoxës, që ngjallin dyshime serioze për keqpërdorim dhe mashtrim.

Prokuroria e Posaçme ka siguruar prova që dëshmojnë se grupi i organizatave jo-qeveritare të drejtuara faktikisht nga Ajola Xoxa, ka përdorur një fond 18 mijë dollarë të siguruar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për një darkë mes tyre, megjithëse shuma e parave ishte përfituar për një projekt social-kulturor.

“Nga i gjithë projekti i Ambasadës Amerikane, finanuar me 18 mijë dollarë, konstatohet se të vetmet shpenzime reale mund të kenë qenë pagesat për një darkë me 70 persona në hotel ‘Dajti’, ku është paguar 6600 lekë të reja për një person”, thotë SPAK-u në dosjen që ka dërguar në gjyq kundër kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, dhe disa personave të tjerë.

Sipas llogarive, kjo darkë me paratë e Ambasadës Amerikane ka kushtuar rreth 460 mijë lekë të reja, ndërsa diferenca, rreth 14 mijë USD, nuk provohet se ku ka përfunduar. “Duke pasur parasysh numrin 70 të personave që kanë qenë në atë darkë, mund të arrihet lehtë në konkluzionin se diferenca e mbetur nga shuma prej 18 mijë dollarë është mjaft e madhe”, shkruan më tej Prokuroria e Posaçme në dosjen që i ka paraqitur së fundmi gjykatës.


Shtuar 31.07.2025 17:33