Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se ajo çfarë ndodhi sot brenda dhe jashtë Kuvendit ishte situatë e paprecedentë.
Noka u shpreh se ditën e sotme u angazhuan 200 gardistë, sipas tij për të ndaluar 50 deputetë të opozitës. Ai pretendon se brenda ambienteve të Kuvendit ka pasur gardistë të cilët vraponin pas deputeteve për të mos i lejuar ato të hyjnë në sallën e seancës plenare. Lidhur me këtë, Noka tha në News24 se do të kërkojnë kamerat e brendshme të Parlamentit.
“Për ne sot ishte një ditë në vazhdën e mosbindjeve civile. Sigurisht që deputetët që nuk ishin të përjashtuar do shkonin në sallën e Kuvendit, hasën në dyert e parlamentit një shtet rrethim të paparë ndonjëherë. Ajo që pamë ne dhe shqiptarët është e paprecedentë.
Deputetë të opozitës janë 50, ndërkohë që ishin mbi 200 gardistë, hekura e barrikada, a thua se do shkonim me tanke. Gjithë kjo situatë ishte për të ndaluar 50 deputetët e opozitës të kryejnë misionin kushtetutës. Me ligjin e Gardës nuk ka të drejtë asnjë gardist të prekë deputetin. Ndodh në një parlament që dera të mbushet me gardistë dhe mos lejohen deputetët.
Gardistët ndërhyjnë vetëm me urdhër të kryetares së Kuvendit. Spiropali tha unë nuk kam dhënë urdhër. Femra deputetë dhunohen nga horra rilindas të veshur me uniformën e gardës. Ne kemi kërkuar kamerat e brendshme, do shikoni ju, tufa gardistësh duke vrapuar pas grave, duke i dhunuar nëpër korridore.”, tha Noka.