Familja e Klea Gjatës, 27-vjeçares nga Lushnja se cila u arrestua në kuadër të operacionit ‘Kurrë mos harro’ pas zbërthimit të Artan Tafanit para drejtësisë, anëtar i bandës së Laert Haxhiut, thotë se është kërcënuar, nga familjarët të viktimave, të vrarë nga banda e Laert Haxhisë.
Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Report Tv Keti Banushi, mamaja e të resë, Shaqe Gjata, tha se pas arrestimit të vajzës së saj, një grua me emrin Shpresa, i ka shkuar në shtëpi dhe i ka thënë se vajza e saj i ka vrarë djalin. Ajo mohon që vajza të ketë lidhje me vrasjet.
“Unë po pija kafen në një lokal lagje. Po ça faji kam unë? Erdhi një grua, e ka emrin Shpresa, mbiemrin nuk e di. Ka ardhur edhe këtu, edhe tek shtëpia, më tha le të fshihet sa të dojë, vajza e saj më ka vrarë djalin. Vajza ime është një engjëll nuk ka lidhje me vrasjet! Të pyesësh në gjithë Lushnjën s’ka lidhje! Vajza ime ka që vajzë e re që ka punuar në shtëpitë e Zvicrës duke pastruar.’- tha ajo për Report Tv.
Nëna e 27-vjeçares, tregon se vajza ndihej e frikësuar nga Laert Haxhiu e se kishte frikë që këtë të fundit ta refuzonte.
‘Klea ka mbaruar administrim biznesi. Unë atë dritë syri kam. Vajza fle me mua. Jam tepër e shqetësuar, na ndihmo të lutem. Unë atë vajzë kam nuk ka bërë asgjë. Më ndihmo të lutëm. As nuk e ka takuar, vetëm të atin i njoh çunit! Ne kemi parë hallin tonë. Kam turp kam sedër pse ta pësoj ajo që është e drejtë. Unë e kam frikë atë më thoshte që t’i bëj bllok.’- tha ajo.
Me Laert Haxhiun, tregon se ka komunikuar vetëm në telefon me të dhe se njeh si fytyre. Për 8 mars të këtij viti tha ajo, ai i ka sjellë një tufë lule të cilat vajza ka refuzuar që t’i pranojë.
‘Në telefon me mua është sjellë mirë ai. Nuk e kam takuar kurrë! Unë e njoh si fytyrë që jepet në media. Nuk e njoh djalin vetë. Kur ishte 8 Marsi i këtij viti i erdhi një buqetë ishte pa emër… Vajza nuk e pranoi buqetën… Se nga i gjeti numrin dhe i tha ta kam sjellë unë buqetën (Laert Haxhiu). I tha ta kam sjellë për shenjë respekti. Vajza tha mos u merr me mua. Kam frikë më ‘tha ti bëj bllok’. Shkëputej rrinte dy javë, por e merrte vet ai. Për të bashkëjetuar jo e jo! Kur ka ardhur buqeta me lule jam shtangur, tha nuk e njoh se kush është.’- tha ajo.
Shaqe Gjata tregon se bashkëshortin e ka të paralizuar e se në momentin kur policia zbarkoi që të arrestojë vajzën e saj, ajo kishte menduar se mos kishte bërë ndonjë aksident.
‘Unë atë ditë që më morën vajzën unë u gdhiva në spital me tim shoq, pasi e kam të paralizuar. Vajza shkoi të marrë ilaçe në atë kohë kur erdhi policia. ‘Kërkojmë Klea Gjatën’ më thanë. Mua me vajti mendja mos ka bërë aksident. Unë se kisha fare lidhjen. Erdhi vajza e mori policia, i thanë do të marrim në pyetje.’- tha ajo.
Vajza me çfarë merrej?
Nëna e 27-vjeçres: Kishte një dyqan rrobash në Lushnjë. Dhe mendoi do të iki në Gjermani tek motra, se i thoshte nuk nxjerr gjë me atë dyqan. Po shikonte për vende pune dhe mendoi se do të shkonte në Gjermani…
“Kurrë mos harro” është megaoperacioni që çoi në pranga 12 persona, 4 në kërkim që akuzohen për 6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh. Policia e Shtetit i zbardhi këto krime falë të penduarit, Artan Tafani, 39-vjeçari anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares./ shqiptarja.com