Ahmetaj nuk pranoi “deal-in”, dëshmitari jashtë që rrezikon kryeministrin, ministrat dhe kryebashkiakët

Kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt në kuadër të hetimit mbi skandalin e inceneratorëve është kryelajmi për shkak të bëhet fjalë për ish-zv.kryeministrin e vendit, i cili ka qenë pjesëmarrës në shumë vendime të rendësishme dhe di “shumë gjëra” përtej faktit se deri më tani është funksionari më i lartë për të cilin ka akuzë ngë SPAK.

Struktura e posaçme e hetimit ka dy vite që arreston “koka” për shkak të disa dosjeve të mëdha, por duket se me Ahmetajn gjërat po rrjedhin ndryshe, pasi ish-zv.kryeministri nuk ka pranuar të shkojë njëherë në qeli dhe më pas të vendoset për fatin e tij personal, pasi ai politik është vulosur tashmë.

Këtu qëndron edhe diferenca më e madhe mes kërkesës së SPAK për arrestimin e Ahmetajt dhe arrestimeve të tjera të ministrave siç janë Saimir Tahiri apo Lefter Koka.

Ka një dakordësi të përgjithshme se si Tahiri ashtu edhe Koka pranuan të bëjnë “pak” vite burg si një lloj marrëveshjeje për të mos e “rënduar” edhe më tepër situatën me qëllim që të gëzonin çfarë kishin, ndërkohë që këta të fundit nga ana tjetër do të merrnin përsipër të mos flisnin më shumë.

Por, Ahmetaj nuk bëri një “deal” të tillë, por u largua duke e ndjekur nga larg procesin kundër tij.

Me Ahmetajn jashtë dhe pa një “deal” situata bëhet edhe më e rrezikshme për kreun e qeverisë, kryebashkiakun Veliaj sie dhe të tjerë që përmenden drejtpërdrejt apo indirekt në dosjen e SPAK për inceneratorët, por edhe çështje të tjera, vendime në të cilat Ahmetaj ka qenë aktor, por edhe dëshmitar.

Një dëshmitar jashtë është një aset i madh për drejtësinë gjatë viteve në vijim, por mbetet për t’u parë se deri ku do të thellohet SPAK me inceneratorët apo nëse do të ketë vullnet për të hetuar edhe skandale të tjera në Shqipëri, për të cilin ish-zv.kryeministri në mos di shumë, ka dijeni. /albeu.com

 

 


Shtuar 14.07.2023 15:34