AFP: Gazetarët tanë në Gaza po vdesin urie

Një grup gazetarësh në agjencinë e lajmeve Agence France-Presse po ngre alarmin për kushtet me të cilat përballen kolegët që punojnë në Gaza duke thënë se pa ndërhyrje të menjëhershme, gazetarët e fundit në Gaza do të vdesin, sipas AP.

Në një territor të shkatërruar nga lufta, ku Izraeli në përgjithësi u ndalon gazetarëve të jashtëm hyrjen, organizatat ndërkombëtare të lajmeve si AFP, ”The Associated Press” dhe Reuters mbështeten në ekipet lokale për të përhapur lajmet

Ata janë penguar nga shqetësimet për sigurinë tek uria në Gaza, ku rreth 59 000 njerëz kanë vdekur në konfliktin 21-mujor, sipas autoriteteve lokale.

Shoqata e Gazetarëve në AFP, një shoqatë profesionistësh në agjencinë e lajmeve, detajoi se me çfarë po përballen kolegët e tyre në Gaza.

Ajo tha se ”ndan shqetësime për situatën e tmerrshme” dhe se ”po punon për të evakuuar punonjësit e saj të pavarur dhe familjet e tyre”.

“Për muaj të tërë, ne kemi parë që kushtet e tyre të jetesës përkeqësohen në mënyrë dramatike. Situata e tyre tani është e padurueshme, pavarësisht guximit të tyre shembullor, përkushtimit profesional dhe qëndrueshmërisë”, tha AFP në një deklaratë.

Një nga fotografët e AFP-së, i identifikuar si Bashar, dërgoi një mesazh në mediet sociale gjatë fundjavës dhe tha se ”nuk kam më forcë të punoj për median, pasi trupi im është i dobët dhe nuk mund të punoj më”.

”Bashar ka punuar për AFP-në që nga viti 2010. Që nga shkurti, ai ka jetuar në rrënojat e shtëpisë së tij në Qytetin e Gazës me nënën e tij dhe anëtarë të tjerë të familjes, dhe tha se një nga vëllezërit e tij kishte vdekur nga uria”, sipas grupit të gazetarëve.


Shtuar 23.07.2025 16:56

Tags: ,