Afganët protestojnë kundër talebanëve, sfida të reja kundër sundimit të tyre (VIDEO)

Protestuesit afganë sfiduan talebanët për të dytën ditë të enjten, duke valëvitur flamurin e tyre kombëtar në demonstrata sporadike që u pritën me dhunë të përtërirë nga militantët të cilët po përballen me sfida në rritje ndaj sundimit të tyre.

Një zyrtar i OKB -së paralajmëroi për mungesa të mëdha ushqimore në vendin me 38 milionë banorë që mbështetet tek importet. Ekspertët thanë se talebanët përballen me të njëjtat probleme si qeveria civile që rrëzuan nga pushteti pa nivelin e ndihmës ndërkombëtare që ajo gëzonte.

Përballë këtyre sfidave, militantët kanë lëvizur me shpejtësi për të shtypur çdo kundërshtim, pavarësisht premtimeve se janë bërë më të moderuar që kur vendosën sundimin drakonian mbi Afganistanin. Shumë janë të shqetësuar se talebanët do të arrijnë të fshijnë arritjet e dy dekadave në përpjekjet për të zgjeruar të drejtat e grave dhe të njeriut dhe për të rindërtuar vendin.

Të enjten, një varg makinash dhe njerëzish pranë aeroportit të Kabulit mbanin pankarta me ngjyrat e flamurit afgan..

Në provincën Khost, autoritetet talebane vendosën një shtetrrethim 24-orësh të enjten pasi shpërndanë me dhunë një protestë.

Protestuesit gjithashtu dolën në rrugë në provincën Kunar, sipas dëshmitarëve dhe videove të postuara në mediat sociale.

Demonstratat – të cilat vijnë ndërsa afganët shënojnë Ditën e Pavarësisë që përkujton traktatin e vitit 1919 që i dha fund sundimit britanik – ishin një shfaqje e jashtëzakonshme e kundërshtimit pasi talebanët shpërndanë me dhunë një protestë të mërkurën. Në atë tubim, në qytetin lindor të Xhalalabadit, demonstruesit ulën flamurin e talebanëve dhe e zëvendësuan atë me flamurin kombëtar të Afganistanit. Të paktën një person u vra.

Ndërkohë, figura të opozitës të mbledhura në zonën e fundit që nuk janë ende nën sundimin e talebanëve, folën për fillimin e një rezistence të armatosur nën flamurin e Aleancës Veriore, e cila u bashkua me Shtetet e Bashkuara gjatë ndërhyrjes së vitit 2001./VOA

 


Shtuar 19.08.2021 15:34