Afganët e parë mbërrijnë nga Tirana në Amerikë, Blinken falënderon popullin shqiptar për mikpritjen

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken ka reaguar në lidhje me 212 afganët që u larguan nga vendi jonë në drejtim të Amerikës.

Blinken shprehet i lumtur që 212 afganët mbërritën mirë në SHBA. Nëpërmjet një postimi në Twitter Bliken falenderon ministren e Punëve të Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka dhe popullin shqiptar për mikpritjen e refugjatëve afganë.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada amerikane në Tiranë bën të ditur se avioni me 212 afganë u nis në orët e paratë mëngjesit të sotëm.
Selia diplomatike amerikane thekson se për t’i përcjellë në Rinas ishin ambasadorja Yuri Kim dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Kim ka falenderuar popullin shqiptar për mikpritjen. Shqiptarët i treguan edhe njëherë botës traditën e “besës”, thotë Kim.

“Një avion me afganë u nis nga Tirana në orët e para të mëngjesit, për të filluar jetën e tyre të re në Shtetet e Bashkuara, pasi gjetën strehim në Shqipëri. Ambasadorja Yuri Kim dhe Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u takuan me afganët përpara nisjes dhe i përgëzuan ata për kurajon e tyre. Ambasadorja Kim falenderoi popullin shqiptar për mikpritjen e afganëve si vendi i parë që u hapi atyre dyert vitin e kaluar. Populli shqiptar i tregoi botës edhe një herë traditën e “besës” – mbrojtjes së të tjerëve në nevojë”, shkruan ambasada amerikane.

Shtuar 22.03.2022 23:08