Afera me inceneratorët, SPAK lëshon urdhër-arrest për Mirel Mërtirin

Biznesmeni Mirel Mërtiri është vënë nën akuzë për korrupsion në aferën e inceneratorëve dhe Prokuroria e Posaçme SPAK ka lëshuar urdhër arrest ndaj tij.

Mësohet se SPAK i ka përcjell policisë kërkesën për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të biznesmenit.

Prokuroria e Posaçme akuzoi zyrtarisht biznesmenin Mirel Mërtiri, më 15 nëntor të vitit të kaluar, për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit

“Shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, thuhej askohohe në aktakuzën e SPAK.

Kujtojmë se pak ditë më parë u arrestua dhe Stela Gugallja për përfshirje në aferën 3.6 milionë euro të inceneratorit të Elbasanit, ndërsa Klodian Zoto mbetet në arrati.

Ajo kërkohej në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k kurse Klodian Zoto, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Lefter Koka është arrestuar për këtë aferë më parë. Pas arrestimit të Kokës, SPAK ka thënë se në cilësinë e ministrit të Mjedisit ai ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa Gugallja e Zoto, akuzohen se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro./albeu.com