Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në rrjetet sociale duke publikuar një pjesë nga intervista e biznesmenit Behgjet Pacolli, duke e cilësuar atë si provë të qartë të korrupsionit në koncesionin e Aeroportit të Vlorës.
Sipas Bardhit, dëshmia e Pacollit tregon se nuk ka pasur garë reale, por një “pazar politik e financiar” i drejtuar nga Edi Rama dhe i menaxhuar nga Belinda Balluku.
Deputeti kërkon që SPAK të administrojë menjëherë dëshminë e Pacollit si provë, duke theksuar se “koka e korrupsionit” ende nuk është vënë nën hetim.
Sipas tij, afera e Aeroportit të Vlorës përbën shkelje të Kushtetutës, ligjit të prokurimeve dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, ndërsa nënvizon se edhe “dhurata” e spitalit të Fierit lidhet me të njëjtën skemë korruptive.
Postimi i Bardhit:
Dëshmia e biznesmenit Behgjet Pacolli provon se nuk ka garë, shteti përdoret si fasadë për pazaret “gjeostragjike” të Edi Ramës dhe se Belinda Balluku ka firmosur me vetëdije për këtë paligjshmëri gjigande.
Nga dëshmia provohet përtej çdo dyshimi se koncesioni për Aeroportin e Vlorës është një skemë korruptive e dirigjuar nga Edi Rama dhe e menaxhuar nga Belinda Balluku.
Dëgjojeni dëshminë!👇Në zyrën e Belinda Ballukut përcaktohet sa përqind do të jetë secili aksioner përpara se të hapet gara formalisht dhe se shqetësimi i saj është të kënaqë partnerin turk në koncesion. Pse? Arsyet do t’i tregojë patjetër gjatë hetimit në SPAK.
Dëshmia e Behgjet Pacollit përbën një të dhënë unike për SPAK dhe një detyrim për t’u administruar si provë menjëherë për të kuptuar se koka e korrupsionit akoma nuk është vendosur nën hetim. Ose të paktën ne nuk kemi njoftim për këtë.
Afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës ka nevojë të hetohet me shpejtësi, pa ndikim politik dhe me profesionalizëm. Këtu nuk është në diskutim vetëm rrënimi i shtetit shqiptar nga korrupsioni. Është në diskutim shkelja e çdo kontrate me Bashkimin Europian. Është shkelur jo vetëm ligji i prokurimeve dhe Kushtetuta, por edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Ky po që është një regres i paprecedentë!
P.S. Dëshmia e Behgjet Pacollit na zbardhi dhe arsyet e dhuratës aq urgjente të spitalit të Fierit. Asnjë dhuratë. Vetëm korrupsion!
