Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka njoftuar protestën e tij në rradhës. Ai tha se protesta do të zhvillohet në datën 17 janar në orën 18:00. Përmes një video të postuar në rrjetin e tij social Facebook, Lapaj iu bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e tij para Kryeministrisë.
Lapaj tha se nëse të githë janë bashkë të tjerët e kanë të pamundur t’i thyejnë. Kreu i Shqipëria Bëhet iu bëri thirrje të gjithë studentëve, emigrantëve, fermerëve dhe të gjithë personave të cilët janë përballur me korrupsionin të marrin pjesë në protestë.
“Në datën 17 janar në orën 18:00, ditën e shtunë masivisht duhet të bashkohemi përballë zyrës së Edi Ramës dhe qeverisë më të korruptuar të Europës. Sepse ata, kur jemi veç e veç na thyejnë. Nëse ti je një student që nuk e gjen të drejtën dhe emigron, duhet të bashkohesh. Nëse ti je një person që ke probleme me shëndetin dhe nuk e merr trajtimin e duhur, duhet të bashkohesh. Nëse ti je një fermer që përmbytesh dhe nuk ke marrë dëmshpërblim, duhet të bashkohesh.
Nëse je ish pronar që nuk e ke marrë të drejtën e pronës, duhet të bashkohesh. Nëse ti je një familje e re që nuk mund të blesh një apartament prej çmimeve të shtrenjta, duhet të bashkohesh Nëse ke hapur një biznes të ri dhe tatimorët nuk të lënë rehat, duhet të bashkohesh. Nëse je një qytetar që përballesh me mungesën e cilësisë së ushqimeve në këtë vend, duhet të bashkohesh. Nëse ti je përballur me korrupsionin, duhet të bashkohesh, sepse nëse ne bëhemi të githë bashkë ata e kanë të pamundur të na thyejnë” tha Lapaj në një video sociale.
