Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, Sali Berisha tregon dy arsyet për votën pro mazhorancës

Marrëveshja për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes në Gaza, themeluar nga presidenti Donald Trump, ka marrë këtë të enjte në Kuvend edhe votat e Partisë Demokratike. Ndryshe nga çfarë deklarohet në publik, demokratët u rreshtuan krah socialistëve.

Në studion e “Opinion” në Tv Klan, kryedemokrati Sali Berisha foli pikërisht për këtë qëndrim të mbajtur nga opozitarët. Duke e theksuar se dokumenti është votuar në parim dhe jo nen për nen, ai tregoi dy arsyet se pse u u dha kartoni jeshil.

“U votua në parim sepse unë dua ta them këtu, gjatë gjithë kohës në pushtet, porosi e prerë e përfaqësuesve të Shqipërisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ka qenë do të votoni siç votojnë Shtetet e Bashkuara, për çështje sigurie.

Së dyti, u detyrohemi pavarësinë e Kosovës, betejën ajrore kundër Beogradit dhe mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës. Ne përsëri kemi probleme me Beogradin që nuk heq dorë nga paranoja e Serbisë së Madhe. Para 3 ose 4 vitesh erdhi në Zubin Potok, Vuçiç dhe deklaroi se Serbia do të bëhet më e madhe, njësoj si Millosheviçi. Në këto rrethana, unë kam qenë, jam dhe mbetem që të votohet siç votojnë Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Sali Berisha.

Në drejtimin e Kryetarit Niko Peleshi, Kuvendi u mblodh sot në seancën plenare të radhës ku ndër të tjera shqyrtoi Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri z. Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Ky projektligj u prezantua nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila u shpreh Shqipëria e pranon këtë ftesë jo si privilegj simbolik, por si një zgjedhje të vetëdijshme për të marrë përgjegjësi shtetërore në ndërtimin e paqes.

Pas diskutimeve, projektligji u miratua me 110 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.


Shtuar 22.01.2026 21:43