Açka delegohet si kryetare e grupit të PD, Bardhi letër Nikollës: Nuk kemi bërë asnjë ndryshim

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar nga debatet në lidhje me postin e kreut të grupit parlamentar të PD-së.

Pasi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla lexoi një shkresë të depozituar nga Gazment Bardhi, i cili pretendon se nuk ka asnjë ndryshim, pra se kreu i grupit nuk ka ndryshuar dhe se është ai kryetari, PD zyrtare pretendon krejt të kundërtën.

“Grupi i PD nuk ka bërë asnjë ndryshim të kryetarit. Për anëtarët e grupit të PD është e papranueshme që maxhoranca të ndërhyjë në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD-së”, thuhet në letrën e Gazment Bardhit drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ndërkohë, Nikolla lexoi një tjetër shkresë të PD-së zyrtare, ku pozicioni i kryetarit të grupit të PD-së i delegohej Flutura Açkës.

Pas këtij momenti, Gazment Bardhi u ngrit nga vendi, ndërkohë që Nikolla kërkoi ndërhyrjen e Gardës.

 


Shtuar 14.09.2023 13:05