Abuzimi me tenderin e uniformave të policisë, SPAK çon për gjykim dosjen e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme

Prokuroria e Posaçe (SPAK) ka mbyllur hetimet për zyrtarët dh eish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të arrestuar për abuzimin me tenderin e uniformave të Policisë në ngarkim të të pandehurave

Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Gëzim Mingaj, Anisa Bogdani, A. M,. dhe Klevis Hasani.

Kujtojmë se, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh, duke shkelur hapur standardet e garës.

Konkretisht tenderi ishte rënë dakord për një sasi dorëzimi prej 726 mijë artikuj si kapelet, uniforma apo këpucë, por kjo nuk është zbatuar. Sipas rregullave tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datë 11.10.2021 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.174/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve E.N.; F.Ç.; A.B.; A.M.; A.O.; F.D.; K.H.; K.B.; M.B.; G.M., akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qëndror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, E.N., në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit F.Ç.; A.B.; A.O.; K.H.; A.M.;  si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave K.B.; F.D.; M.B. dhe G.M., të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta./albeu.com

 

 

 

 

 


Shtuar 12.10.2021 09:32