Ka përfunduar gjyqi për ish-kryebashkiakin e Lushnjës Fatos Tushes, i arrestuar gati 1 vit më parë bashkë me ish-vartësin e tij për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
GJKKO ka vendosur të shpallë vendimin më 13 korrik për Tushen dhe 21 të hetuarit në Bashkinë Lushnje.
Arrestimi i Tushes u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 24 milion lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.
Nga hetimet dhe përgjigjet e Prokurorisë të nisura në 2020 rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.
Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish-kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër ish-kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.