Pas katër orësh pauzë, në seancën ku po diskutohet për rrëzimin e Qeverisë, kryeministri malazez, Dritan Abazoviq, doli me një ofertë për ristrukturimin e qeverisë së tij.
Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën për ristrukturimin e ekzekutivit.
Kjo iniciativë, e cila erdhi gjatë seancës ku po diskutohet mocioni për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Dritan Abazoviqit, përmbanë parimet mbi të cilat duhet të bazohet qeveria e re, dhe u bën thirrje të gjitha partive parlamentare t’i bashkohen iniciativës, përveç atyre që kanë iniciuar mosbesimin ndaj saj.
Referuar dokumentit të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili është publikuar nga vet Abazoviq, bisedat për ristrukturimin e ekzekutivit malazez do të nisin pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.
Oferta e Abazoviqit u pranua nga Fronti Demokratik, por u refuzua nga Demokratët
Oferta për ristrukturimin e Qeverisë iu ofrua grupeve opozitare: Fronti Demokratik, Demokratët dhe partitë e pakicave kombëtare.
Oferta e Abazoviqit u pranua nga Fronti Demokratik, por u refuzua nga Demokratët.
Deputeti i demokratëve, Momo Koprivica, e quajti atë “pamflet” me nëntë deputetë.
Ndërsa njëri nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, ka bërë të ditur se deputetët e këtij grupi janë të gatshëm që menjëherë të nënshkruajnë ofertën e Abazoviqit.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja URA e Abazoviqit fituan shumicën.
Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Paraprakisht, pas katër orë e gjysmë diskutimi për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviq, me kërkesë të Frontit Demokratik (FD) deputetët shkuan në pushim. Tani ata janë kthyer në seacë.
Paraprakisht, është zhvilluar një debat mes deputetëve dhe kryeministrit.
Në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijell Zhivkoviq, tha se Qeveria e Abazoviqit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.
“Në vend të kryeministrit evropian, jeni bërë ish-kryeministër. Mali i Zi, pas Qeverisë së ekspertëve dhe pakicës, nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje ku do të zgjidhet një qeveri legjitime”, tha Zhivkoviq.
Abazoviq iu kundërpërgjigj Zhivkoviqit, duke thënë se nuk është e vërtetë që DPS-ja e ka paraqitur iniciativën për rrëzimin e tij për shkak të mungesës së progresit të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe prandaj e dorëzuat. Mos u fshihni pas evropianizmit”, tha Abazoviq.
Paqartësi mes disa partive
Ende nuk dihet cili do të jetë epilogu i seancës së Kuvendit, sepse Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët e Alleksa Beçiqit dhe Partia Boshnjake, nuk janë deklaruar nëse do të votojnë për rrëzim të Qeverisë.
Të paktën pesë vota të tyre janë të nevojshme për ta bërë diçka të tillë.
Ndonëse disa nga Fronti Demokratik kanë thënë se rrëzimi i Qeverisë së Abazoviqit është “drejtësi e Zotit”, deputeti Sllaven Radunoviq, ka kërkuar pauzë, ashtu që liderët e partive që kanë fituar shumicën e zgjedhjet e vitit 2020, të mund të marrin vendim.
“Ia kemi borxh popullit”, ka thënë Radunoviq.
Edhe Partia Boshnjake nuk dihet ende si do të veprojë në votëbesim.
Në një konfernecë për media para fillimit të seancës, Abazoviq ka thënë se nëse Qeveria mbijeton dhe ka ristrukturim, “nuk ka dyshim që ai do të mbetet kryeministër”.
Partia Mali i Zi Demokratik ka thënë se në fund të seancës do të vendosë si do të votojë./REL