A u vodhën zgjedhjet? Ja ç’thotë Arlind Qori

Arlind Qori, drejtues i “Lëvizja Bashkë”, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, u shpreh kundër denoncimit të kreut të PD-së, Sali Berisha se Edi Rama ka marrë 53 për qind të votave me manipulime dhe presione. Qori u shpreh se ka njerëz në Shqipëri që vazhdojnë të votojnë për PS dhe Edi Ramën, sepse Berishën e shohin si të keqen më të madhe.

“Tani po bëj video denoncuese për mbrapshtitë. Qeveria jep leje ndërtuese, rritet çmimi i metrit katror jo vetën në Tiranë por kudo. “Lëvizja bashkë” nuk është parti elektorale.

Për mua dita para dhe pas zgjedhjeve nuk ka rëndësi. Një parti nuk mund të mbyllë qepenin dhe ta hapë një herë në dy vite, edhe pse partitë këtë bëjnë dhe llogarisin 3 muajt e pashimeve. Nuk kemi as etikën për të bërë diçka të tillë, as komoditetin. Partitë opozitare duhet ta intensifikojnë aktivitetin.

Ylli Rakipi: PD është ngritur dhe thotë se zgjedhjet janë vjedhur e shqyer, treni bullgar dhe meksikan. Dakord ju keni problematika. Këto zgjedhje ç’janë për ju?

Arlind Qori: Pyetja nuk shtrohet nëse do të njihen zgjedhjet, se nëse nuk njeh zgjedhjet do të thotë të marrësh armët dhe dalësh malit. Këto zgjedhje nuk ishin të lira dhe të ndershme. Ne duhet të analizojmë defektet.

Partitë e tjera shpenzuan miliona euro. Kush i dha ato para? Po të marr rastion e kohës televizive, më 11 prill-9 maj. “Lëvizja bashkë” del shumë më poshtë se partitë që nuk hynë në Kuvend. Qytetari shqiptar voton lirisht. Unë mendoj se një pjesë e konsiderueshme e qytetarve ndjejnë frikë ditën e votimit dhe para votimit. Është përballë kërcënimit me vendin e punës, biznesin, bukën e fëmijëve. 25 mijë vetë që votuan për “Lëvizja bashkë” votuan lirisht, por fakti se të tjerë trajtohen si bujkrobër, ne nuk mund të jemi të dakord me këtë.

Ne nuk biem dakord me Sali Berishën se 53 për qind e votave që ka marrë Edi Rama i ka marrë në këtë mënyrë, pra që askush nuk do ta votonte Edi Ramën nëse nuk do të bënte presione. Edi Rama përmes këtyre makinacioneve, presionit, oligarkisë, financimeve, arrin të krijojë një marzh mbështetjeje që nuk e ka në mënyrë organike. Ka njerëz në Shqipëri që vazhdojnë të votojnë për PS dhe Edi Ramën dhe pyetja që më shqetëson mua është pse? Ta kuptoj dhe ta ndryshoj në zgjedhjet e tjera. Le ta marrim se 13 për qind të votave i ka marrë me këto mënyrat e abuzimit. Prapë mua më shqetëson ai 40 përqindëshi, këta njerëz e votojnë me gjithë këto gjëma të qeverisjes dhe një nga argumentet që unë gjej është figura e Sali Berishës. Berisha në mendjen e shumë qytetarëve të Shqipërisë është mishërimi i një të keqeje më të madhe se Edi Rama”- tha Qori.


Shtuar 19.06.2025 23:32