A rrezikohet vërtet Polonia nga një sulm i mundshëm i mercenarëve të Wagner?

Nga Bartosz Wielinski “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Varshavë – Prania e rreth 100 mercenarëve të Wagner pranë kufirit të Bjellorusisë me Poloninë e ka futur në panik udhëheqësin polak. Ndonëse shumë nga ata që ndoqën sjelljen e grupit Wagner në organizimin e një grushti të dështuar në Rusi, besojnë se kryeministri Mateusz Morawiecki po tregohet shumë i kujdesshëm, nga shumë të tjerë sjellja e tij ditët e fundit rreth mercenarëve rusë është quajtur e pamenduar dhe e papërgjegjshme.

Duke udhëtuar nëpër Poloni gjatë fushatës elektorale të partisë së tij, Morawiecki ka bërë referenca të shumta për kërcënimin që përfaqësojnë mercenarët e dërguar javët e fundit në rajonin Grodno të Bjellorusisë, shumë pranë kufirit me Poloninë, për stërvitje të përbashkëta me ushtrinë bjelloruse.

Përveç Polonisë, Bjellorusia ndan gjithashtu në Perëndim një kufi me Lituaninë. Dy vendet tona janë të lidhura me Hendekun Suwalki, një rrip toke 60-100 km i gjatë, për të cilin  Morawiecki dhe të tjerët thonë se mercenarët e Wagnerit duan që ta shfrytëzojnë për të sulmuar Poloninë.

Megjithatë në Vilniusin fqinj, atmosfera rreth Wagner ka qenë e kujdesshme, por jo më shumë sesa kaq. E njëjta gjë mund të thuhet për Letoninë e afërt. Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit Wagner, dhe një kriminel lufte që kohët e fundit u përpoq të rrëzonte nga pushteti presidentin rus Vladimir Putin, duhet të jetë i kënaqur me reagimin e Morawieckit. Lëvizja e 100 mercenarëve mjaftoi për të nxjerrë nga binarët kreun e qeverisë në vendin e pestë më të madh të BE-së.

Fjalët përkundrejt veprimeve

Por çfarë duhet të bëjnë autoritetet përballë një kërcënimi të tillë për sigurinë kombëtare? Së pari, ata nuk duhet ta ngrenë këtë çështje në tubimet e fushatës elektorale dhe nën maskën e politikës.

Ndërsa kjo çështje është shfaqur përgjatë fushatës, Polonia nuk ka mbledhur ende Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar situatën në kufirin me Bjellorusinë. Po ashtu ajo nuk ka evokuar Nenin 4 të NATO-s, që i lejon vendet anëtare që ndihen të kërcënuara të bëjnë thirrje për konsultime me aleatët e tyre.

Pretendimet e Morawieckit do të tregonin se ishte koha e duhur për këtë. Megjithatë kjo gjë nuk ka ndodhur. Autoritetet polake flasin për një kërcënim të madh dhe në të njëjtën kohë e injorojnë atë. Pse kryeministri nuk po konsultohet me fqinjët e Polonisë?

Në fundin e vitit 2021, duke kërkuar justifikime për dëbimin e emigrantëve në pyjet e vendeve kufitare, Morawiecki vizitoi gjysmën e vendeve të BE-së. Tani nëse do të donte, do të dëgjohej sërish dhe me shumë vëmendjen në kryeqytetet e BE-së.

Në mesin e udhëheqësve evropianë, Morawiecki e njeh më mirë nga të gjithë presidentin bjellorus Alexander Lukashenko. Diktatori bjellorus e priti atë në një takim në Minsk në tetor 2016. Por çuditërisht kryeministri polak flet për mercenarët e Wagnerit vetën gjatë takimeve në qytetet më të vogla, teksa po afrohet zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen ne vjeshtë të këtij viti. Nga ana tjetër edhe nëse nuk ka dashur të shkojë aq larg për ta adresuar shqetësimin tek NATO, pse Morawiecki nuk e ka alarmuar Bashkimin Evropian?

Nëse siç sugjeron është e vërtetë që mercenarët rusë do të maskohen si emigrantë përgjatë kufirit dhe do të kalojnë gardhin kufitar të ndërtuar nga partia e tij, i cili supozohej të ishte i pakapërcyeshëm, pse nuk kërkuam mbështetje përmes agjencisë së BE-së Frontex për Rojen Kufitare?

A ju kujtohet viti 2015? Në kundërpërgjigje të kërcënimit, qeveria i shtoi me 500 policë  forcat kufitare. A po përpiqet në fakt partia në pushtet të paralajmërojë për një krizë të afërt sigurie, apo po i rikthehet mashtrimeve të vjetra që ishin sukseset e saj të para të fushatës?

Kujtojmë se kur partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Morawieckit fitoi për herë të parë shumicën parlamentare në vitin 2015, fushata e saj u përqendrua kryesisht në nxitjen e frikës rreth krizës së atëhershme të emigrantëve në gjirin e Bashkimit Evropian. Tani, të njëjtës çështje i është dhënë një emergjencë e re.

Autoritetet polake flasin për një kërcënim të madh dhe në të njëjtën kohë e injorojnë atë.

Ata e përmendin dendur në kuadër të fushatës elektorale, në vend që ta trajtojnë atë me ashpërsinë që nënkuptojnë se e meriton. Kjo qasje mund të interpretohet si një shenjë paaftësisë klasike të PiS.

Por ndoshta duhet të pyesim veten nëse kërcënimi është vërtetë aq serioz sa pretendon kryeministri i panikosur Morawiecki. Apo është një dredhi politike e krijuar për të ringjallur një fushatë, apo ndoshta edhe një justifikim për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme dhe për të anuluar zgjedhjet e ardhshme, si një mënyrë e fundit për të siguruar të ardhmen e partisë së tij? /albeu.com


Shtuar 3.08.2023 10:18