A rrëmbyen rebelët e Wagner armë bërthamore në bazën sekrete ruse në Voronezh?

Nga Yevgeny Kuklychev “Newsweek

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një tentativë rebelimi nga Yevgeny Prigozhin dhe grupi i tij i mercenarëve të Wagner që filloi të premten e kaluar dukej se ishte jetëshkurtër, pasi befas ai që njihet në Rusi si “kuzhinieri i Putinit”, njoftoi se njerëzit e tij po tërhiqeshin pasi pushtuan për një kohë të shkurtër 2 qytete ruse dhe iu afruan Moskës.

Vendndodhja e Prigozhin mbeti për disa orë një mister, edhe pse pak më vonë u konfirmua se kishte shkuar në Bjellorusi, pas një marrëveshje të arritur presidentin e atij vendi, autokratin Alexander Lukashenko.

Përplasja e vazhdueshme e Prigozhin me Ministrinë ruse të Mbrojtjes arriti kulmin në një përplasje të egër 24-orëshe midis shefit të Wagner dhe ushtrisë ruse. Prigozhin njoftoi nisjen e  një “marshimi për drejtësi” nga luftëtarët e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë, të cilën ai e akuzoi se kishte qëlluar enkas mbi bazat e grupit paraushtarak, duke vrarë vetëm në një rast dhjetëra prej tyre.

Gjatë orëve që pasuan, njerëzit e Prigozhin pretenduan se kishin marrë nën kontroll qendrat administrative dhe selitë ushtarake në të paktën dy qytete kryesore ruse, Rostov dhe Voronezh. Ata ishin më pak se 200 km larg Moskës, kur Prigozhin e ndërpreu kryengritjen dhe njoftoi se njerëzit e tij po tërhiqeshin në “pozicionet e tyre në terren”.

Grushti i shteti i dështuar u duk se mbaroi po aq befas sa filloi, duke ngritur një mori pyetjesh që nuk kanë ende përgjigje të qarta. Më e rëndësishmja:mbeten ende të paqarta qëllimet dhe motivet e Prigozhin, dhe vakumi i informacionit u mbush shumë shpejt nga spekulimet, thashethemet dhe teoritë konspirative.

Newsweek Misinformation Watch analizoi shikoi disa nga narrativat më të spikatura, duke përfshirë atë që pretendon një grabitje të armëve bërthamore ruse në Voronezh. Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi rebelimin e Prigozhin si një tradhti dhe një “thikë pas shpine”.

Ai njoftoi të shtunën nisjen e një hetimi penal kundër rebelëve, por ky vendim më pas u anulua. Por të hënën, disa media ruse raportuan se hetimi mbi veprimet e Wagner është në vazhdim. Siç mund të parashikohej, ngjarje të tilla të trazuara në një vend që dukej se ka pasur një ndalim të fortë ndaj çdo lloj forme mospajtimi ose kundërshtimi, e lëre më pastaj rebelimi, gjatë mbretërimit afro çerekshekullor të Putinit, nxitën dezinformimin.

Kështu u spekulua se Putini ishte vendosur të shpallte gjendjen ushtarake dhe mobilizimin e përgjithshëm. Po ashtu u pretendua se grushti i shtetit synonte të shpërqendronte vëmendjen ndaj hetimit penal të Hunter Biden, djalit të presidentit të SHBA-së Joe Biden.

Duke mos ofruar asnjë provë për të mbështetur teorinë, disa llogari në Twitter dhe Telegram thanë se rebelimi ishte orkestruar, organizuar ose paguar nga CIA, me disa që citonin raportet e mediave se agjencitë perëndimore të inteligjencës, ishin që disa ditë më parë në dijeni të planeve të Prigozhin.

Por në morinë e spekulimeve u shfaq një pretendim edhe më shqetësues, duke sugjeruar se qëllimet e Prigozhin mund të jenë më të errëta sesa besohej në fillim. Llogari të shumta në rrjetet sociale, ndanë mesazhe që pretendonin se synimi përfundimtar i Prigozhin nuk ishte Moska, por një bazë e armëve bërthamore pranë Voronezh, një qytet në Rusinë Qendrore, të cilin Wagner raportoi se e vendosi nën kontroll për pak orë.

“Legjioni i Rusisë së Lirë thotë se luftëtarët e Wagner, morën dje për pak kohë kontrollin e kampit ushtarak “Voronezh-45”, ku ruhen armët taktike bërthamore”- shkruhej në llogarinë pro-ukrainase në Twitter , ViseGrad24. “Ky objekt është vendi ku ruhen armët taktike bërthamore të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Ata morën kontrollin e njësisë ushtarake dhe qëndruan atje për disa orë”- theksohej më tej në postim, duke shtuar se nuk dihet se çfarë kanë bërë atje.

E njëjta llogari në Twitter shpërndau një video të forcave ajrore ruse duke goditur urat në Voronezh dhe Borisoglebks, dhe duke pretenduan se ka prova të mëtejshme për një skenar të tillë. Një pretendim i ngjashëm u bë nga Vladimir Osechkin, ish-biznesmen rus në mërgim, i kthyer në një aktivist për të drejtat e njeriut.

Osechkin tha se iu referua “dokumenteve të dekonspiruara të FSB shërbimit sekret rus”.

Pretendimet u rishpërndanë nga një përdorues tjetër i shquar në Twitter-it, themeluesi i portalit Winds of Change dhe aktivisti pro-ukrainas Igor Sushko, të cilat u panë më shumë se 7 milionë herë.

“Unë jam përpjekur ta kuptoj se si Prigozhin mund të garantojë mbijetesën e tij pas këtij veprimi. Dhe prandaj ai e ka ndërmarrë këtë veprim. Moska mund të mos ketë qenë kurrë destinacioni i tij përfundimtar. Vornezh-45 po. Pasi mori armët bërthamore që gjendeshin atje, ai i dha fund marshimi sepse arriti të gjitha objektivat e tij”- shkroi gjithmonë.

Ndërsa Newsweek nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendime të tilla, jo pak ekspertët e hedhin poshtë këtë pretendim si jo të vërtetë. Sipas informacioneve të pakta të disponueshme për Voronezh-45 në burimet zyrtare, baza ekziston vërtet dhe aty ndodhet njësia ushtarake ruse 14254.

“Drejtoria e 12-të kryesore e Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse (GUMO) është një organ komandimi dhe kontrolli ushtarak, përgjegjës për pajisjet bërthamore dhe inxhinierike të objekteve ushtarake dhe për sigurinë e tyre. Në vitin 1997, stafi i GUMO përfshinte të gjitha bazat ushtarake të armëve bërthamore. Më pas nisi formimi i garnizoneve të reja për të mbrojtur këto baza, përfshirë njësinë ushtarake 14254, e cila ndodhej në Voronezh-45 në fillim të viteve 2000”- thuhet në një faqe të njësive ushtarake ruse.

Megjithatë, pretendimet e Osechkin nuk duket se i referohen vendndodhjeve të sakta, siç tregohet nga ekspertët e GeoLocated dhe Pavel Podvig, një analist i pavarur ushtarak me banim në Gjenevë. Podvig rendit një sërë faktorësh që do të pengonin çdo lloj përpjekje të tillë për të “vjedhur” armë bërthamore nga një grup mercenarësh.

Edhe nëse do të kishte ndodhur kjo, Podvig thekson se çdo përdorim i këtyre armëve do të kërkonte “kodet e zhbllokimit PAL” dhe bashkëpunimin aktiv të personelit të GUMO-s, dhe asnjëra prej tyre nuk do të ishte e disponueshme për njerëzit e Prigozhin.

Mosbesues ishin edhe ekspertë të tjerë. Hans Kristensen, drejtor në Projektin e Informacionit Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, shkroi se “nuk ka asnjë provë që grupi Wagner të ketë “pushtuar” një bazë të ruajtjes së raketave bërthamore ruse, apo t’i ketë marrë ato.

Ndërsa thuhet se vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, u përpoqën të kontaktonin me Kremlinin për të marrë garanci se arsenali bërthamor i Rusisë ishte i sigurt, burimet e Departamentit të Shtetit u thanë më vonë gazetarëve se “SHBA-ja nuk ka parë ndonjë ndryshim në qasjen e Rusisë në këtë aspekt”.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 28.06.2023 10:33