A pritet të ketë krizë energjetike në Kosovë?

Muajt e dimrit, së bashku me motin e ftohtë, sjellin edhe kërkesë më të madhe për përdorim të energjisë elektrike.

Me rritjen e kësaj kërkese, tejkalohen edhe kapacitetet e shtetit të Kosovës për prodhim të energjisë dhe importi i energjisë bëhet i pashmangshëm në një kohë kur çmimet e rrymës në Evropë janë të larta.

Zyrtarë dhe ekspertë të energjisë, megjithatë thonë se nuk mund të parashikojnë një krizë energjetike apo rritje të çmimit të rrymës në Kosovë, që tashmë ka nisur të prekë shumë vende të Evropës përfshirë edhe Shqipërinë.

Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë thotë se do të krijojnë një task-forcë “për koordinimin për dhënie të informacioneve dhe sugjerimeve se si duhet të përgatitemi në rast të thellimit të kësaj krize në Evropë dhe ndikimit të saj në Kosovë”.

Momentalisht nëpër gjithë Evropën, faturat për energji janë shumë të larta, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit.

Përveç rritjes sezonale të kërkesës për energji elektrike që çon në ngritje të çmimeve, tani ato janë rritur për shkak të rezervave të vogla të magazinimit të gazit dhe çmimeve të larta për prodhim të energjisë nga qymyri në vendet e Bashkimit Evropian.

Në këtë situatë po ndikojnë furnizimet më të vogla me gaz të lëngshëm për shkak të kërkesave më të mëdha në Azi, furnizimeve më të vogla me gaz nga Rusia dhe prodhimit më të vogël të energjisë së ripërtërishme.

Çmimet standarde të gazit evropian në qendrën holandeze TTF janë rritur për më shumë se 250 për qind qysh në janar, ndërsa kontratat standarde të Gjermanisë dhe Francës për rrymë janë dyfishuar.

Qeveria e Shqipërisë ka deklaruar emergjencë për furnizimin me energji elektrike, pas rritjes së çmimit të energjisë në javën e fundit. Shqipëria ka thënë se do të ndaj 200 milionë euro për tejkalimi të krizës energjetike./REL


Shtuar 12.10.2021 11:15