A pritet një urdhër-arresti sekret për Putinin së shpejti?

Nga Rene Garzke, BILD

Kundër tiranit të Kremlinit, Vladimir Putin mund të lëshohet një urdhër-arresti sekret për krime lufte në Ukrainë. Kështu beson Wolfgang Schomburg, ish-gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.

Urdhri mund të ekzekutohet gjatë një udhëtimi të ardhshëm jashtë vendit të sundimtarit rus, tha avokati.

“Këto urdhër-arreste në thelb janë sekrete dhe shpresohet se ai nuk do ta zbulojë nëse ekziston një i tillë,” tha Schomburg.

Kjo do të thotë se Putini do të përballet me arrestimin sa herë që udhëton jashtë vendit, si në udhëtime private, edhe në takime samiti.

Ish-gjenerali serb Momir Taliç u arrestua në Vjenë në vitin 1999 sipas një shembulli të tillë- prangat iu vendosën teksa ishte rrugës për të marrë pjesë në një konferencë të OSBE. Më pas ai u ekstradua në Hagë.

Arsyeja e urdhrit të fshehtë të arrestit nga Gjykata Penale e asaj kohe: krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje.

Putin ka njoftuar që tani se do të udhëtojë në Bali për samitin e G20 në nëntor. A do të përballet ai me arrestimin? Ish-gjyqtari Schomburg: “Unë nuk mendoj se një urdhër-arresti do të lëshohet kaq shpejt. Por në raste të ngjashme, kjo mund ta befasojë atë”.

I pyetur nëse mundet që Putini të arrestohet në Moskë, ai thotë: “Nuk dua të përjashtoj asgjë për momentin. Ne kemi parë edhe rrëmbime të suksesshme nga vende të tjera”. Edhe për këtë, Schomberg nuk do të flasë shumë. “Është thjesht shumë e rrezikshme”.

Juristi beson gjithashtu se gjykimet kundër trupave ruse kanë perspektiva të mira. Përveç krimeve të luftës, në Ukrainë ka edhe krime kundër njerëzimit. Këto përfshijnë vrasjen dhe përdhunimin, si dhe të ashtuquajturin shfarosje. Pra, vrasja masive e të paktën një pjese të një popullsie civile.