Nga Joel Mathis “The Week”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
A po e zëvendëson Kina SHBA-në si ndërmjetësuese e paqes në botë? Udhëheqësi kinez Xi Jinping deklaroi të mërkurën se vendi i tij do të çojë një të dërguar në Ukrainë për të kërkuar një zgjidhje të konfliktit me Rusinë, raportoi agjencia e lajmeve Associated Press. Ky është vetëm shembulli i fundit se si Xi ka “pasur një rol më të madh në diplomacinë globale”, si pjesë e një fushate për të vendosur Kinën si një lider botëror edhe më të madh “dhe për të ndërtuar një rend ndërkombëtar që favorizon interesat e Pekinit”.
Ndërmjetësimi midis Ukrainës dhe Rusisë vjen një muaj pasi Kina ndërmjetësoi një afrim midis Iranit dhe Arabisë Saudite, dy rivalëve të vjetër në Lindjen e Mesme. Marrëveshjet midis të dyjave habitën zyrtarët amerikanë, që ishin mësuar të kishin një rol parësor në çështjet e këtij rajoni.
Ndërkohë Al Jazeera thekson se e gjitha kjo ndodh në një kohë kur ndikimi i Shteteve të Bashkuara – tradicionalisht ndërmjetësja kryesor në Lindjen e Mesme – është zbehur “si pasojë e luftërave të dështuara në Irak dhe Afganistan”. Disa analistë mendojnë se rëndësia në rritje e Kinës në përpjekje për arritjen e paqes, pasqyron një ndryshim më të madh në balancën mbarëbotërore të fuqisë.
Thomas Warrick, një ish-zyrtar i Sigurisë Kombëtare, deklaroi për US News &World Report: “Njoftimi i përfshirjes së Kinës në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike saudite-iraniane tregon se diplomacia e Lindjes së Mesme është e gjallë dhe e mirë… dhe ajo nuk kalon gjithmonë përmes Uashingtonit”.
Çfarë thonë analistët?
“Ka pasur një periudhë kur që të gjitha rrugët drejt paqes kalonin përmes Uashingtonit”- shkroi në “New York Times” Trita Parsi nga Instituti Kuinsi. Por kjo gjë ndryshoi pasi “politika e jashtme e Amerikës u bë më e militarizuar” dhe kur Shtetet e Bashkuara “hoqën dorë nga virtytet e paqe-bërjes së ndershme”, duke marrë shpesh anë në konflikte, në vend se të silleshin si një arbitër neutral.
Sipas tij tani ekziston rreziku që SHBA t’i shohë përpjekjet e Kinës si një kërcënim, në vend se të mirëpresë përpjekjet paqe-bërëse të Pekinit. Reputacioni i Amerikës do të vihet vërtet në pikëpyetje “nëse ne bëhemi pengesë në një botë, ku të tjerët kanë interes të ketë sa më shpejt paqe”.
“Ndërmjetësimi kinez mund të përfitojë edhe nga pjesa tjetër e botës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara”- shkruan Robert Rust për Unionin e Shkencëtarëve të Shqetësuar. Nga ana tjetër është e vështirë që Kina të shihet si një “aktore e paanshme” në Ukrainë, duke pasur parasysh deklaratën e Xi për një “miqësi të pakufishme” me Rusinë, në prag të pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar.
Për më tepër ekziston shqetësimi se përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë me kushte të ndërmjetësuara nga Kina, mund ta dobësojë botën demokratike. Por nëse SHBA dëshiron të ruajë ndikimin e saj, duhet të forcojë bashkëpunimin dhe “të punojë edhe me Kinën për të negociuar një zgjidhje paqësore të konfliktit”.
Madje, Amerika mund të përfitojë nga ky moment. “Shtetet e Bashkuara i kanë bërë presion Pekinit për të marrë” një rol si “palë përgjegjëse në skenën ndërkombëtare” shkruan Ahmed Aboudouh për Atlantic Council.
Ndërsa angazhimi i Kinës për arritjen e marrëveshjes Iran-Arabia Saudite ishte qartazi pjesë e një shtytjeje “për të reduktuar ndikimin e SHBA-së në politikat dhe vendimmarrjen e vendeve të Gjirit Persik, stabiliteti në këtë rajon u shërben gjithashtu interesave të SHBA-së”. Ndaj në vend që të “nënçmojë qëllimisht diplomacinë kineze, administrata Biden duhet ta shohë ndërmjetësimin e Kinës si një mundësi, dhe jo si një kërcënim”.
Çfarë pritet të ndodhë më tej?
Por nuk është vetëm Ukraina. Kina dëshiron të arrijë suksese të reja të bazuara tek suksesi i ndërmjetësimit të marrëveshjes së fundit Iran-Arabia Saudite, që synohet të ndihmojë në vendosjen e paqes në Jemenin e shkatërruar nga lufta, raporton The Diplomat.
Lufta e Jemenit shihet gjerësisht si një luftë me prokurë midis Iranit dhe Arabisë Saudite, gjë që do të thotë se “Pekini do të jetë në gjendje të marrë disa merita për një paqe të mundshme në Jemen”, edhe nëse Kina nuk luan një rol të drejtpërdrejtë në arritjen e një zgjidhjeje atje.
Por me fuqitë ekzistojnë problemet. Përpjekjet e Xi për të arritur një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë janë ndoshta pjesë e një përpjekjeje për të “minuar një solidaritet të thelluar transatlantik” midis SHBA-së dhe Evropës, i cili është përforcuar nga pushtimi rus, raporton “Washington Post”.
Përpjekja do të nisë seriozisht këtë fundjavë kur i dërguari i Kinës pritet të mbërrijë në Ukrainë “ku ai do të bashkëpunojë me zyrtarët vendas për të ulur Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve”. A do të funksionojë diçka e tillë?
CBS News raporton se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është një optimist i kujdesshëm. Ai e quan vizitën si “një mundësi për të përdorur fuqinë politike të Kinës me synim përforcimin e parimeve dhe rregullave mbi të cilat duhet të ndërtohet paqja”. Megjithatë, zyrtarët perëndimorë kanë shprehur skepticizëm mbi këtë nismë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi së Kina “nuk ka shumë besueshmëri, sepse nuk ka qenë në gjendje të dënojë hapur pushtimin e paligjshëm të Ukrainës”. Një gjë është e qartë: zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë do të vëzhgojnë nga afër përpjekjet e Kinës. /albeu.com