A po e tepron BSH me shtrenjtimin e vazhdueshëm të kredisë ndërkohë që paraja jashtë sistemit po mbyt tregun?

Nga Emirjon Senja

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është duke stërpërdorur normën bazë të interesit me qëllim frenimin e rritjes së çmimeve, si të vetmin instrument parandalues.

Shkurt janë duke i rënë “fyellit në një vrimë”, a thua kjo ekonomia jonë është tërësisht e legalizuar dhe të vetmet flukse parash që i bëjnë presion çmimeve janë pikërisht ato që dalin nga sektori bankar.

Banka e Shqipërisë bën sikur harron se një pjesë e mirë e ekonomisë është informale dhe se në fakt një pjesë e mirë e inflacionit këtu është i importuar, kurse një pjesë tjetër shkaktohet jo domosdoshmërisht prej kredisë, por prej thasëve apo çantave me euro/ paund që futen CASH, jashtë çdo sistemi bankar.

Po ashtu harron se ato para që duan të kanalizojnë në banka me depozita përmes interesave ndjellëse nuk dalin dot nga dyshekët dhe tenxheret e presionit ku ruhen se hapen probleme të tjera për pronarët.

E kanë ndarë mendjen, duan t’i çojnë njerëzit drejt fajdexhinjve kaq shumë sa është shtrenjtuar kredia!

Ndërkohë që bota po i trembet një krize të re, dhe CEO-t e kompanive po kanë frikë se bankat do të rrisin standardet e kredidhënies duke i detyruar të ndërpresin apo shtyjnë investimet, këta tanët bëjnë ç’bëjnë i fusin një rritje të normës bazë të interesit duke shtrenjtuar edhe më tepër kredinë këtu.

Dhe prapë e pëson i ndershmi!

Ndërkohë që këta bëjnë shkencë nëpër zyra luksoze dhe dieta mbretërish, ai hallexhiu atje, punëtori me rrogë mesatare apo të ngjashëm si ai duhet të heqin nga një pjatë në ushqimin e përditshëm të fëmijëve të tyre për të shlyer koston e rritur të kredisë në këstin e radhës.

Kurse pronarët e kompanive duhet të bëjnë plane se si t’ja dalin me tregun e çmendur bankar.

Interesat e kredive konsumatore sot janë të ngjashme me interesat e fajdeve që merrnin dikur Xhaferri apo Sudja! Dhe këta vazhdojnë përdorin normën bazë të interesit sikur të jetë shkopi magjik!


Shtuar 5.04.2023 13:34