A po e godet Ahmeti edhe njëherë “Grupin e Zjarrit” duke e dhënë MEPSO-n për Alternativën?

Një dilemë që po e habit opinionin është se pse BDI pranoi të heqë dorë nga MEPSO dhe këtë drejtori që konsiderohet më e fuqishme se shumë ministri, të pranojë ta udhëheqë një njeri i Alternativës.

Përgjigja e parë është momenti politik dhe rëndësia që pushteti të zgjerohet me katër deputetët e Alterntivës. Por kjo nuk është përgjigja e plotë. Përgjigja e dytë është se Maqedonia po e kalon krizën më të madhe energjetike në 30 vitet e fundit dhe se kjo krizë mund ta “dridhë” edhe MEPSO-n si kompani. Mirëpo as këtu nuk kemi përgjigje të plotë, sepse nuk është faj vetëm i MEPSO-s për shkak se vendi përballet me krizë që ka përfshirë mbarë Evropën.

Përgjigja mund të kompletohet vetëm nëse mozaikut ekonomik rreth kësaj kompanie, ia shtojmë edhe mozaikun politik. E analizuar nga prizmi politik, atëherë pyetja është se mos po i hakmeret qeveria, e përmes qeevrisë edhe BDI-ja, drejtorit aktual Kushtrim Ramadani, për shkak se i pari zbuloi që Maqedonia de facto është duke vjedhur në katër raste rrymë nga sistemi energjetik evropian dhe për këtë mund të ketë reperkusione të paparashikueshme.

Ai do të mbahet mend nga publiku si i vetmi që ishte i pari që tha hapur se ESM nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike dhe se ai ka frikë për sasinë e prodhimit vendas në të ardhmen sepse nuk ka qymyr të mjaftueshëm dhe nuk ka ujë në hidrocentrale. Në fakt, ai ishte zyrtari i parë që tha hapur publikisht se furnizuesit privatë dhe ESM i detyroheshin MEPSO-s 18 milionë euro për energjinë elektrike të marrë nga rrjeti rajonal.

Por Ramadani nuk shtoi asgjë, vetëm se e tregoi të vërtetën. A nuk do të duhej që një zyrtar që e tregon realitetin të përkrahet nga Qeveria? Kështu është në Evropë, por nuk është tek ne! Tek ne si duket më mirë është të heshtësh dhe të dëgjsh urdhërat nga lart, e jot ë paralajmërosh për problem që mund të ndodhn. Kjo po tregohet edhe në rastin e Kushtrim Ramadanit, shkruan Zhurnal.

Duket se aspekti politik i heqjes dorë prej MEPSO-s nga BDI mund të jetë edhe më i thellë. Drejtori në ikje Kushtrim Ramadani përmendet si njeri i afërt me të ashtuquajturin “Grup i Zjarrit” dhe ky mund të jetë shkaku që MEPSO shkoi “kurban” në marrëveshjen e koalicionit me Alterntivën. Nëse është ashtu, atëherë parashtrohet pyetja se a ka vendosur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti të falënderojë përfundimisht “Grupin e Zjarrit” për “shërbimet e deritanishme”? A është kjo tregues se edhe përkundër rezultateve të shkëlqyeshme që arriti “Grupi i Zjarrit” në komunat që i ka bastione, Ahmeti megjithatë ka vendosur që njeri më të afërt të vazhdojë ta mbajë Artan Grubin, e që është therrë në sy për grupin e përmendur më sipër? A po i thotë Ahmeti “Grupit të Zjarrit” se edhe pa ta tymi i “duhonit” do t’i shkojë drejt dhe se nuk shqetësohet aspak se ;farë hapa do të marin në të ardhmen?

Sepse në kohën kur ky grup priste shpërblim nga Ahmeti për rezultatin në zgjedhje lokale, po u merret MEPSO, si institucion më të fuqishëm që ndoshta kishin nën kontroll. Nga ana tjetër nuk po u jepet asgjë si kompensim, madje as ministria e bujqësisë ku pritet të zgjedhet Jeton Shaqiri, ministër aktual për shoqëri informatike, i cili është nga Struga. Mjaft interesant, apo jo?/Zhurnal.mk/


Shtuar 6.12.2021 19:25