Përktheu Alket Goce – AlbEu
Gjiri i Omanit mbetet një vatër e mundshme shpërthyese, ku një veprim i gabuar mund t’i nxitë gjerat të dalin me shpejtësi jashtë kontrollit, duke shkaktuar një konflikt që mund të ketë pasoja të mëdha.
E tillë ishte edhe ngjarja që ndodhi në orët e para të së mërkurës me orën lokale, kur thuhet se forcat detare iraniane u përpoqën të kapnin dy cisterna nafte. Ato e ndërprenë përpjekjen pasi presionit nga luftanijet e Marinës së SHBA-së që patrullojnë në zonë.
“Më 5 korrik, forcat amerikane parandaluan dy tentativa për sekuestrimin e cisternave tregtare nga ana e Marinës Iraniane, teksa këta të fundit kishin hapur zjarr mbi një nga incidentet pranë brigjeve të Omanit”-njoftoi Komanda Qendrore e Forcave Detare të SHBA-së.
“Një anije iraniane iu afrua cisternës së naftës “TRF Moss” me flamurin e Ishujve Marshall që ndodhej në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Omanit. Anija iraniane u largua nga vendi i ngjarjes vetëm kur atje mbërriti me shpejtësi destrojeri i marinës amerikane USS McFaul (DDG 74).
“Për më tepër, Marina e SHBA-së dërgoi në zonë mjete vëzhgimi, përfshirë avionët e patrullimit detar MQ-9 Reaper dhe P-8 Poseidon”-shtuan në një deklaratë portali i forcave detare CENTCOM. Gati 3 orë më vonë, Marina e SHBA-së mori një telefonatë të dytë
për ndihmë nga cisterna e naftës me flamurin e Bahamasit, Richmond Voyager.
Ajo gjendej më shumë se 20 milje larg brigjeve të Muskatit në Oman dhe po kalonte në ujërat ndërkombëtare drejt Detit Arabik. Sipas Marinës së SHBA-së, një tjetër anije ushtarake iraniane iu afrua më pak se 1 milje “Richmond Voyager”, duke i kërkuar cisternës tregtare
që të ndalonte.
Sërish, destrojeri amerikan u nis drejt cisternës me shpejtësi maksimale. Por përpara se të mbërrinte luftanija e SHBA-së, iranianët qëlluam me breshëri të shumta drejt cisternës, si me armë të vogla ashtu edhe nga armët e shërbimit të ekuipazhit. “Richmond Voyager” nuk pësoi viktima apo dëme të konsiderueshme.
Por Marina e SHBA-së raportoi se disa predha goditën bykun e anijes pranë dhomave të ekuipazhit. Anija e marinës ushtarake iraniane u largua sapo mbërriti destrojeri amerikan “USS McFaul”. Teherani nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë ngjarje, por media shtetërore raportoi se qeveria iraniane mohon të jetë përpjekur të sekuestrojë ndonjërën nga anijet.
Akte piraterie?
Në majin e vitit të kaluar Shtetet e Bashkuara shtuan numrin e anijeve dhe avionëve që patrullonin Ngushticën e Hormuzit së bashku me partnerët rajonalë dhe të tjerë, pas një shtimi të sekuestrimeve të anijeve ndërkombëtare tregtare nga ana e Iranit.
Gati 1/5 e furnizimit botëror të naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një vendkalim jetik midis Iranit dhe Omanit. Prezenca e shtuar e forcave detare synon që të mbështesë përpjekjet shumëkombëshe në kuadër të Konstruksionit Ndërkombëtar të Sigurisë Detare dhe në mënyrë dypalëshe me vendet partnere, për të penguar kërcënimet ndaj transportit tregtar dhe për të siguruar marinarët rajonalë.
“Nuk mund të isha më krenar për të gjithë ekipin (Komandën Qendrore të Forcave Detare të SHBA-së), veçanërisht për përpjekjen e jashtëzakonshme të ekuipazhit të destrojerit McFaul, për reagimin e menjëhershëm dhe për parandalimin e një sekuestrimi tjetër”- deklaroi zëvendës/admirali Brad Cooper, komandant i Komandës Qëndrore të Forcave Detare të SHBA-së, Flotës së 5-të e SHBA dhe Forcat e Kombinuara Detare. “Ne mbetemi vigjilentë dhe të gatshëm për të mbrojtur të drejtat e lundrimit në këto ujëra shumë të rëndësishme”- theksoi ai.
A po shkojnë Shtetet e Bashkuara drejt një lufte kundër Iranit?
Është një pyetje e bërë shumë herë që kur Revolucioni Islamik i vitit 1979 e përmbysi qeverinë iraniane, e cila kishte mbajtur për shumë dekada lidhje të ngushta me Uashingtonin. Në fakt, që nga 7 prilli 1980, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur marrëdhënie zyrtare diplomatike me Republikën Islamike.
Incidenti i fundit, është vetëm i fundit në vargun e gjatë të veprimeve provokuese të kryera nga Teherani, që rrezikojnë të çojnë në një konflikt të hapur midis 2 vendeve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Republika Islamike ka ngacmuar, sulmuar apo sekuestruar rreth 20 anije tregtare me flamur ndërkombëtar.
Më së afërmi, në muajin maj njësitë e Gardës Revolucionare të Iranit sekuestruan një cisternë nafte me flamur panamez në Ngushticën e Hormuzit. Ishte akti i dytë i këtij lloji në rrugën strategjike ujore në vetëm një javë. CENTCOM ka vënë në dukje se veprimet e Iranit janë
në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe dëmtuese të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.