Rishi Sunak, me origjinë indiane, është kryeministri i parë jo i bardhë i Britanisë. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, disa po e krahasojnë zgjedhjen e tij me atë të Barack Obamas në Shtetet e Bashkuara.
Rishi Sunak është britaniku i parë me prejardhje nga vendet e Azisë që merr drejtimin e vendit, një arritje kjo që u mirëprit nga të gjitha grupet politike në parlament.
“Është një kujtesë se megjithë sfidat që përballemi si vend, Britania është një vend ku të gjitha racat dhe besimet mund të realizojnë ëndrrat e tyre”, tha udhëheqësi i Partisë Laburiste, Keir Starmer.
Disa e kanë përshkruar këtë si “momentin Obama” të Britanisë. Analisti Anand Menon, i cili është gjithashtu me origjinë indiane, e hedh poshtë këtë krahasim.
“Për shkak të mënyrës se si u zgjodh Sunaku… Ai u zgjodh nga deputetët për drejtues partie. Barack Obama fitoi një mandat personal nga populli amerikan duke u zgjedhur president”, thotë zoti Menon.
Është sidoqoftë një moment domethënës.
“Të shikosh dikë që është me origjinë nga Azia jugore, që është besimtar i hinduizmit, të ketë postin më të lartë të vendin – kjo ka rëndësi”, thotë zoti Menon.
Popullsia e besimit hindu po feston këto ditë Diwalin. Shumë në komunitetin e madh hindu të qytetit britanik Leicester e mirëpritën emërimin e zotit Sunak.
“Deri në momentin e fundit, mendoja se ‘jo, nuk do t’ia arrijë dot; nuk do t’ia arrijë dot’. Por, kur ia doli, më habiti”, thotë një banor në Leicester.
Të tjerë thonë se nuk ndjejnë ndonjë lidhje me kryeministrin e ri.
“Ka njerëz që vërtet mezi po ia dalin mbanë, dhe ai është e qartë se ka patur një stil jetese disi të privilegjuar. Mendoj se duhet ulet paksa me këmbë në tokë”, thotë Rita Patel, banore në Leicester.
Zoti Sunak mendohet se është ligjvënësi më i pasur i Britanisë. Ai ndoqi një shkollë private ekskluzive; studioi në Universitetin e Oksfordit dhe ishte menaxher investimesh përpara se të bëhej anëtar parlamenti. Bashkëshortja e tij është trashëgimtarja e një manjati indian. Pasuria e tyre mendohet se është në vlerën 830 milionë dollarë.
“Qeveritë nuk japin rezultate të mire për sa i përket diversitetit shoqëror dhe ekonomik. Ka gjithnjë e më pak anëtarë parlamenti që vijnë nga klasa punonjëse, gjithnjë e më pak anëtarë parlamenti që nuk kanë ndjekur shkolla private”, thotë profesor Menon.
Rishi Sunak lindi në Anglinë jugore, nga prindër me origjinë indiane që u zhvendosën në Britani nga Kenia në vitet 1960-të.
Këtë vit, India shënon 75 vite pavarësi nga Britania. Për disa, emërimi i zotit Sunak ka domethënie.
“Nëse një person me prejardhje indiane bëhet kryeministër i Britanisë, i po asaj Britanie që na sundoi për aq shumë vite, atëherë është një moment krenarie për të gjithë Indinë”, thotë Manoj Garg, banor në Delhi.
“Britanikët na sunduan për 200 vjet dhe tani kam ndjesinë se indianët do ta sundojnë Britaninë për 200 vitet e ardhshme”, thotë Manpreet Singh.
Sidoqoftë, mandati i zotit Sunak nuk do të jetë kaq i zgjatur. Anketimet që nga emërimi i tij tregojnë se Partia Konservatore në pushtet radhitet pas Partisë Laburiste në opozitë, ndërkohë që zgjedhjet pritet të mbahen vetëm pas dy vitesh./VOA