Turqia tani po përballet me tronditjen dhe pikëllimin dhe me vetëdijen se sa e madhe do të jetë detyra për rindërtim në vazhdën e një fatkeqësie natyrore shkatërruese. Turqia po lufton gjithashtu me një të vërtetë të pakëndshme – që tërmeti ka kërkuar, me saktësi të egër, jo vetëm dobësitë në tokë, por edhe linjat e prishjes brenda vetë shoqërisë. Ankaraja duhet të përballet me kritikat se nuk arriti ta planifikonte një fatkeqësi dhe të reagonte kur ajo ndodhi.
E shkrova paragrafin e mësipërm gati 25 vjet më parë, si pasojë e një tërmeti afër Stambollit, i cili mori të paktën 17,000 jetë. E megjithatë ky paragraf mbetet mizorisht i përshtatshëm në valën e shkatërrimeve dhe akuzave që kanë pasuar tërmetet në këtë vend në fillim të këtij muaji.
Në mënyrë të turpshme, tërmeti i vitit 1999 e shkatërroi reputacionin e një gjenerate të tërë politike, duke përfshirë ushtrinë e atëhershme të fuqishme turke, të cilët gjatë ditëve të para vendimtare të përpjekjes së shpëtimit, s`bënë asgjë ndërkohë që ndodhi katastrofa.
Katastrofa i ekspozoi kontraktorët të cilët lanë mangut çelikun dhe çimenton, bashkëpunëtorët e tyre në qeverisjen vendore dhe politikanët kombëtarë që shkëmbyen amnistinë për shkeljet e kodit të ndërtimit në këmbim të votave. Zinxhiri i fajësisë dukej se përfshinte një gjeneratë të tërë të pasluftës, nga emigrantët që u dyndën në qytete, tek politikanët që ata i mbështetën, pasi urbanizimi i paplanifikuar dhe i parregulluar doli jashtë binarëve.
Reputacioni i Rexhep Tajip Erdogan, ish-kryebashkiaku i Stambollit (1994-1998), u ndërtua pas kësaj. Ai ishte ai që i riktheu shërbimet publike, pikërisht, duke e shpëtuar qytetin nga mungesat famëkeqe të ujit dhe zhurmat e gypave të ujit që fërshëllejnë ajrin. Në një epokë përpara mediave sociale, Erdogan e mbikëqyri ndërtimin e një makinerie të gjerë politike dhe të një rrjeti mbështetësish të ngjitur së bashku nga vlerat kulturalisht konservatore.
Erdogan kishte aftësinë të fliste përballë një shtypi kombëtar armiqësor të atëhershëm dhe zhvilloi një përbuzje për mediat, të cilën ai nuk duket se e ka humbur. Ndërkohë që popullariteti i tij si kryetar bashkie rritej, fuqitë që e manovruan atë nga zyra dhe kaloi katër muaj në burg me akuzat për nxitje të urrejtjes fetare duke recituar një poezi. Erdogan u lirua më pak se një muaj para tërmetit të gushtit 1999.
Gjithë këto vite më vonë, presidenti Erdogan ulet në një pallat presidencial të ri dhe luksoz me kompetencat e tij – trashëgimia e një referendumi kushtetues të vitit 2017 – kryesisht të pakontrolluara. Megjithatë, pas tërmeteve të javës së kaluar, edhe pse shpëtimtarët bëjnë thirrje për heshtje për të dëgjuar nëse ka ende zëra nën rrënoja, Turqia nuk mund të mos e pyesë veten nëse një ndryshim politik do të ndodhë përsëri. E gjithë logjika e dy dekadave të fundit të qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) dhe autoriteti i Presidentit Recep Tayyip Erdoğan mund të jetë gati të shpërthejë.
“Epoka e Erdoganit ka marrë fund”, ka deklaruar Selahattin Demirtaş, ish-udhëheqësi karizmatik (dhe i burgosur) i Partisë Demokratike të Popullit, në përgjigje të pyetjeve që i dërgova përmes avokatëve në qelinë e tij. Demirtaş, dikur shpresa e madhe e pakicave dhe liberalëve të Turqisë, e karakterizoi periudhën si sundimi i një njeriu, në të cilën shteti dhe qeveria janë bërë të padallueshme: “Të rinjtë nuk dinë asgjë tjetër, të moshuarit nuk mund të imagjinojnë një alternativë dhe besojnë se pa Erdoganin, shteti do të shembet.’ Megjithatë, rrjedha tragjike e tërmetit dhe paaftësia për t’i përballuar pasojat e tij kanë bërë shumë për të minuar besimin e njerëzve: ‘Përmes shumë dhimbjeve të zemrës, del se Erdogan nuk është as aq i fuqishëm dhe as aq shumë në kontroll siç menduan njerëzit.’
Megjithatë, për disa, precedenti më i fortë mund të mos jetë tërmeti i vitit 1999, por grushti i dështuar ushtarak i 2016-ës, një ngjarje të cilën Erdogan e përdori për ta zhvendosur Turqinë nga një sistem parlamentar në një sistem ‘super-presidencial’, përmes një referendumi vitin e ardhshëm. Shumë nga kompetencat emergjente që qeveria i mori përsipër pas përpjekjes së rrëzuar për grushtshtet janë miratuar që atëherë në ligj. Legjislacioni i ri, tashmë duke u përdorur pas tërmetit, e bën shpërndarjen e ‘dezinformimit’ një krim, një veprim i krijuar për ta frikësuar atë që ka mbetur nga shtypi i pavarur turk.
“Erdoğan tani do të përpiqet ta rivendosë autoritetin e tij të tronditur me ekspozim të ri të fuqisë”, paralajmëron Demirtaş. Tashmë, qeveria ka vendosur rregulla emergjente në dhjetë provincat e prekura nga tërmetet, gjoja në interes të rendit publik dhe për t’i parandaluar grabitjet.
Qeveria është përpjekur t’i ndalojë kritikat e opozitës si një përpjekje për të përfituar nga fatkeqësia e vendit. “Kjo është një kohë për unitet, solidaritet. Në një periudhë si kjo, nuk mund t’i shqetësoj njerëzit që kryejnë fushata negative për interesa politike”, ka deklaruar presidenti Erdoğan teksa vizitonte Kahramanmaraşin, qytetin më afër epiqendrës së tërmetit të parë dhe më të ashpër.
Megjithatë, edhe ndërkohë që foli, Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Turqisë dukej se po bënte politikë: qasja në platformat e mediave sociale, përfshirë Twitter, ishte e kufizuar – me qëllimin e supozuar për t’i ndaluar skenat e zemërimit dhe zhgënjimit popullor që të bëheshin virale.
Ndërkohë që është e saktë të shihet tërmeti i vitit 1999 si minues i besimit popullor në atë që nganjëherë quhet “Shteti Baba” – stenografi për një autoritet dashamirës që e mban veten të zënë duke i rreshtuar rrugët me ar – gardës së vjetër iu deshën tri vjet të tjera të shpërthejë përfundimisht. Ky ishte rezultat i krizave ekonomike të viteve 2000 dhe 2001. Ishte po aq sa edhe kolapsi i sektorit bankar, po aq edhe i instinkteve të devotshme të ndjekësve të tij që sollën Partinë AK në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të 2002-shit.
Shumë besonin se devalvimet radikale të lirës turke do ta vërtetonin devalvimin e qeverisë. Argumenti për një presidencë të fuqishme ishte se do ta bënte qeverinë më efikase. Në vend të kësaj, mbicentralizimi e ka bërë politikën rezultat të tekave të një njeriu.
“Falë këtij sistemi, askush nuk mund ta bëjë asnjë lëvizje nëse nuk ka një urdhër nga presidenti”, shkruan kolumnisti Murat Belge. Është, beson ai, se nuk ka fare sistem. Erdogan po e zbaton strategjinë kundërintuitive të uljes së normave të interesit për ta frenuar normën e inflacionit (në 57.7 për qind). Presioni politik mbi gjykatat dhe agjencitë rregullatore publike, e lëre më Bankën Qendrore është i ashpër. Radhët e larta të AFAD-it, agjencisë qeveritare e ngarkuar me përballimin e tërmetit, udhëhiqen nga ata me trajnim teologjik, jo në menaxhimin e fatkeqësive. Presidenti Erdogan tashmë i ka cilësuar ata që vdiqën në tërmet si ‘dëshmorë fetarë’.
Presidenti dihet se i kushton vëmendje sondazheve të opinionit. Megjithatë, një partner në një nga firmat më të respektuara të sondazheve pranon të dukshmen: duke pasur parasysh përçarjen e jetës së 13.5 milionë njerëzve (15 për qind e të gjithë popullsisë) që banojnë në rajonet e prekura nga tërmeti, marrja e mostrave nga opinioni publik është praktikisht e pamundur. Me tetë nga dhjetë qytetet më të goditura tashmë nën kontrollin e AKP-së në pushtet, mençuria konvencionale është se ndërkohë që qeveria mund të mos shohë që baza e saj të avullohet, nuk ka gjasa ta rrisë mbështetjen e saj.
Kjo është me rëndësi sepse Turqia duhej të shkonte në zgjedhjet e përbashkëta presidenciale dhe parlamentare që sipas ligjit duhet të mbaheshin deri më 18 qershor të këtij viti. Zgjedhjet do të shtyheshin për muajin maj vetëm për t’a anashkaluar rregullin që e parandalon një president i cili përfundon dy mandate të plota të kandidojë për një mandat të tretë. Gara presidenciale ka qenë gjithmonë e hidhur. Disa sondazhe të fundit thonë se Erdogan fiton 50 përqind të votave të nevojshme, edhe në rast se të kishte edhe në një raund të dytë. Tani ka shumë spekulime nëse zgjedhjet mund të mbahen fare, por kjo paraqet një rebus tjetër ligjor pasi kushtetuta e lejon shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të luftës, por nuk thotë asgjë për force majeure (situata kur nuk është e mundur të mbahen zgjedhjet për shkak të rrethanave të paparashikueshme)
Qeveria po përpiqet t’i balancojë dy pikëpamje konkurruese të katastrofës. E para është se tërmetet në Turqi dhe Siri, atë që Martin Griffiths, koordinatori i ndihmës emergjente të OKB-së, e përshkroi si ‘ngjarja më e keqe [natyrore] e rajonit në 100 vitet e fundit’, do t’i kishte provuar aftësitë e çdo qeverie dhe se qeveria e AKP-së, me reputacionin e saj, është e vetmja që mund ta kthejë vendin në normalitet. E dyta është nevoja që dikush të fajësohet për ndërtimin e dobët.
Arkitekti Emre Arolat ka njëfarë simpatie me argumentin e parë. Në fund të fundit, nuk ishin vetëm ndërtesat e fundit, por xhamitë dhe kishat historike në të gjithë rajonin – Kalaja e Gaziantepit, lagjja historike e Antakias – që u dëmtuan rëndë. Ai është përgjegjës për një strukturë të re në Antakaya, hotelin muze, të varur në 20,000 tonë kolona çeliku mbi një grup përrallor rrënojash romake, duke përfshirë një hapësirë publike të shekullit të katërt që është një pretendent për mozaikun më të madh në botë.
“Dallgëzimet në modelet e mozaikut janë vetë dëshmi e një historie të gjatë të aktivitetit sizmik”, thotë Arolat. Me pak fjalë, nuk kishte asnjë justifikim për të mos qenë të përgatitur. Një taksë e posaçme për faturat e telefonisë celulare u vendos pas tërmetit të vitit 1999 për t’i rinovuar ndërtesat dhe kjo llogaritet të ketë mbledhur rreth 36 miliardë euro. Shumë dyshojnë se taksa thjesht u zhduk për ta financuar deficitin buxhetor, ose, në disa raste, ndërtimin e autostradës. Në të njëjtën kohë, kodet e ndërtimit u rishikuan dhe u forcuan, por është një sekret i hapur që këto janë nderuar më shumë në shkelje.
Prandaj, një mori urdhër-arrestesh për rreth 131 kontraktorë, të akuzuar për ndërtimin e ndërtesave nën standardet e kërkuara. Policia arrestoi një burrë teksa po përpiqej të hipte në një aeroplan për në Mal të Zi që pretendohet se ishte përgjegjës për një kompleks luksoz prej 250 banesash në Antakaya ku tërmetet e shndërruan në pluhur. Megjithatë, Erdogan bëri fushatë në zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke u mburrur në qytetin e Kahramanmaraş se “problemet e 144,556 qytetarëve tanë ishin zgjidhur me një amnisti ndërtimi”. Sipas kushteve të asaj amnistie, pronarët e shtëpive mund të paguajnë një gjobë për ta marrë një leje zyrtare banimi në vend të rregullimit të ndërtesës. Në fushatën në Antakia të njëjtin vit, presidenti e dha shifrën e atyre që përfitonin nga amnistia si 205,000.
“Ata i shndërruan shtëpitë e njerëzve në varre dhe më pas i ngarkuan për privilegjin”, deklaroi kreu i opozitës, Kemal Kiliçdaroğlu. Si shumë të tjerë, ai hedh poshtë idenë se tani nuk është koha për politikë. Ndërkohë ata pyesin, nëse jo tani, atëherë kur./The Spectator