A mund ta sfidojë një monedhë e përbashkët e BRICS-it dollarin amerikan?

Blloku BRICS, grup i shteteve me ekonomi të zhvilluara, të cilat shihen si vende që tentojnë të garojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin, u pajtuan në një samit të mbajtur javën e kaluar për t’i pranuar gjashtë vende të reja: Argjentinën, Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Anëtarët e rinj do ta bëjnë BRICS-in qendër të mallrave, duke llogaritur një sasi të konsiderueshme të eksporteve globale të naftës, misrit dhe grurit.

BRICS – shkurtesë për Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut – tani përbën 40 për qind të popullsisë së botës, dhe përqindja do të rritet kur vende tjera të bashkohen vitin e ardhshëm.

Në mënyrë që të ulin dominimin e dollarit amerikan, presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, u bëri thirrje vendeve të BRICS-it gjatë samitit, që të krijojnë një monedhë të përbashkët për tregtinë dhe investimet.

Koncepti i një monedhe të vetme BRICS u promovua nga media shtetërore ruse në ditët në vijim, së bashku me atë që ata pretenduan se do të ishte rënia e dollarit amerikan.

Gian Maria Milesi-Ferretti, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Hutchins të Institutit Brookings për Politikat Fiskale dhe Monetare, i tha Radios Evropa e Lirë në një intervistë, më 29 gusht, se edhe nëse shtetet anëtare të BRICS-it mund të bëjnë përparim në uljen e përqindjes së dollarit në tregtinë e tyre dypalëshe, do të jetë më e vështirë të largohesh prej saj si monedhë rezervë për shkak të lehtësisë dukshëm më të madhe të blerjes dhe shitjes së saj.

Perspektiva e një monedhe të përbashkët BRICS, sipas Milesi-Ferrettit, i cili më parë mbante postin e zëvendësdrejtorit të divizionit të kërkimit të Fondin Monetar Ndërkombëtar, është vështirë e besueshme, duke pasur parasysh dallimet e forta në strukturat organizative të ekonomive të anëtarëve, nivelet e zhvillimit, në hapjen e tregut financiar dhe praktikat e menaxhimit të monedhës.

Nëse dollari amerikan zbehet dukshëm në të ardhmen, kjo ka të ngjarë të lidhet më shumë me menaxhimin e dobët të ekonomisë amerikane, siç janë deficitet në rritje, sesa me çdo përpjekje të BRICS për ta rrëzuar atë, tha ai.

Më poshtë gjeni pjesë nga intervista:

REL: BRICS ekziston për gati 13 vjet. Si do ta krahasonit këtë bllok me G7 (grupin e shtatë shteteve më të industrializuara në botë – Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara)?

Milesi-Ferretti: Sipas mendimit tim, BRICS deri më tani ka qenë më shumë një forum bisedimesh për disa nga ekonomitë më të mëdha në zhvillim sesa një entitet i strukturuar me një të përbashkët të plotë pikëpamjesh mbi bazat e ekonomisë. Mendoj se ka elemente të përbashkëta për këto vende. Por, ka dallime shumë thelbësore në strukturën e ekonomive, në nivelin e zhvillimit, në politikë, në shumë aspekte, që shkojnë përtej dallimeve në të gjithë G7, të cilat priren të jenë vende me grup të ngjashëm vlerash të përgjithshme, struktura të përgjithshme të ekonomisë dhe nivel të ngjashëm të zhvillimit. Sigurisht, disa janë më të pasur se të tjerët, por në përgjithësi ka më shumë homogjenitet në grupin G7 sesa në BRICS.

REL: Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i bashkohen BRICS-it si anëtarë të rinj. A do ta forcojë kjo organizatën?

Milesi-Ferretti: Kjo, për mendimin tim, nuk e homogjenizon më tej grupin. Bruto prodhimi i brendshëm do të rritet më shumë se një trilion dollarë, megjithatë ka dallime të rëndësishme strukturore dhe vështirësi ekonomike. Merrni parasysh Argjentinën, e cila po lufton me inflacionin ekstrem dhe një pozicion të rëndë fiskal, dhe krahasojeni atë me Arabinë Saudite, e cila po shpenzon me bollëk për futbollistët më të shtrenjtë në botë, ndërkohë që ka nivele jashtëzakonisht të larta të të ardhurave të disponueshme, të paktën për ata të lindur në Arabinë Saudite. Edhe për sa i përket monedhës, sauditët kanë një lidhje me dollarin, ndërsa Argjentina ka kontrolle kapitali dhe një kurs këmbimi të menaxhuar shumë. Dhe disa, si Brazili po përjetojnë ngadalësim. Ashtu siç ka institucione dhe politika jashtëzakonisht të ndryshme, ka edhe kushte ekonomike mjaft të ndryshme.

REL: Pas samitit të BRICS-it në Johanesburg, televizioni shtetëror rus ka bërë pretendime të guximshme për rënien e ndikimit ekonomik global të SHBA-së. Cili është këndvështrimi juaj?

Milesi-Ferretti: Nëse shikoni pjesën e bruto prodhimit të brendshëm të llogaritur nga SHBA-ja, mendoj se dëshmia e rënies nuk është aty. Është e vërtetë se mesatarisht, ekonomitë në zhvillim e sipër janë rritur më shpejt sesa ekonomitë e përparuara. Kina dhe India luajtën një rol të madh në këtë, dhe për këtë arsye, pjesa e bruto prodhimit të brendshëm e llogaritur nga këto ekonomi, është rritur, krahasuar me pjesën e G7-ës. Por, kjo është për shkak të Kinës dhe Indisë. Jo në Rusi. Norma e rritjes së saj ka qenë mjaft modeste për disa vite. Jo për Afrikën e Jugut. Ka probleme të tmerrshme ekonomike, rënie të bruto prodhimit të brendshëm për banorë. Dhe sigurisht jo për Brazilin, i cili gjithashtu kishte një normë mesatare rritjeje, me disa periudha të mira, por më pas një recesion të tmerrshëm në vitet 2015-2016. Pra, ka shumë ndryshime në performancën ekonomike.

Por, nëse e shikoni rolin e luajtur nga SHBA në tregjet financiare globale, sigurisht që nuk do të thoni se ka ndonjë provë për një rënie. Kompanitë amerikane kanë performuar jashtëzakonisht mirë gjatë dekadës së fundit, apo më shumë. Veçanërisht kompanitë e lidhura me teknologjinë – por nëse shikoni kapitalizimin e tregut të aksioneve, nëse shikoni performancën e aksioneve në përgjithësi, është e qartë se kompanitë amerikane kanë performancë jashtëzakonisht të mirë. Nëse përqendroheni më shumë në afat të shkurtër – pra rimëkëmbja nga COVID-19 – edhe ekonomia amerikane ka bërë shumë mirë. U ndihmua nga shumë stimuj, por ja ka dalë shumë mirë. Pra, sigurisht që nuk do të pajtohesha me pohimin se ka një rënie të përgjithshme, sidomos vitet e fundit në ndikimin e ekonomisë amerikane.

REL: Media shtetërore ruse ka folur, gjithashtu, për perspektivat e një monedhe BRICS për ta kundërshtuar dollarin. A është ky propozim realist?

Milesi-Ferretti: Ky më duket si një koncept shumë i pamundur. Këto janë vende me politika rrënjësisht të ndryshme të kursit të këmbimit, siç e përmenda më parë, me Kinën që është përjashtimi i dukshëm, për shkak të madhësisë dhe hezitimit të saj për të hequr dorë nga çdo sovranitet ose kontroll mbi tregjet e saj financiare. Prandaj ka një hapje të ngadaltë [në Kinë], por miratimi i një sistemi që i afrohet një monedhe të përbashkët nënkupton një farë shkalle të sovranitetit të përbashkët, siç është në zonën e euros, të paktën në lidhje me politikën monetare. Dhe kjo është diçka që thjesht nuk e shoh duke ndodhur duke pasur parasysh preferencat e këtyre vendeve. Të mos harrojmë gjithashtu se Kina dhe India patën përleshje kufitare kohët e fundit. Nga sa kuptoj unë, marrëdhëniet janë duke u përmirësuar, por ne nuk po flasim për aleatë të afatgjatë, me siguri. Dhe do t’ju duhet shumë gjëra të përbashkëta për të ndarë diçka aq të rëndësishme sa një monedhë.

REL: Pra, ka shumë punë për të bërë nëse duan ta realizojnë?

Milesi-Ferretti: Krijimi i një monedhe sikurse euroja, monedhë vërtet e përbashkët, është diçka që kërkon shumë përgatitje, shumë ngjashmëri midis vendeve. Është thjesht e paimagjinueshme, përsëri, që këto vende të heqin dorë nga sovraniteti monetar për një autoritet të përbashkët, një bankë qendrore e përbashkët ose një emetues i përbashkët i monedhës, duke pasur parasysh dallimet e mëdha në ekonomi, në politikë, në histori, gjithçka. Thjesht është shumë e vështirë të shihet [duke ndodhur]. Dikush mund të mendojë për diçka shumë më të kufizuar, por atëherë ajo nuk është në të vërtetë një monedhë e përbashkët.

REL: Cilat janë rreziqet e tjera të përfshira në një monedhë të përbashkët?

Milesi-Ferretti: Klasike, kur lidhni monedhat tuaja së bashku, është problemi i të ashtuquajturave goditje asimetrike. Pra, tronditje që ndikon një vend ndryshe nga të tjerët. Në përgjithësi, kurset e këmbimit janë një mënyrë e mirë për ta absorbuar këto goditje…

Nëse kaloni në BRICS dhe keni eksportues të mallrave kundrejt eksportuesve të mallrave të prodhuara, shkalla e ndryshimit është thjesht, shumë e madhe Mendoni për çmimet e naftës. Ato rriten, Rusia është e lumtur, Arabia Saudite është e lumtur, por Kina është importuese e naftës, Afrika e Jugut është importuese e naftës. India është importuese e madhe e naftës. Pra, atje keni një goditje klasike asimetrike. Dhe, kur çmimet e naftës rriten, zakonisht rubla rritet dhe rupia indiane zhvlerësohet. Me një monedhë të përbashkët, nuk mund ta kesh më atë situatë.

REL: Po bisedimet e BRICS-it për ndalimin e dollarit nga tregtia dypalëshe?

Milesi-Ferretti: Objektivi i zvogëlimit të varësisë nga dollari është diçka për të cilën kam më shumë besim — për sa u përket qëllimeve. Se si arrihet kjo do të jetë një pikëpyetje e madhe. Unë mendoj se një çështje është valuta që ju përdorni për emërtimin e tregtisë, për marrëveshje, por ekziston një pyetje e përgjithshme se si i menaxhoni financat tuaja të jashtme. Në çfarë monedhe vendosni rezervat tuaja valutore? Cila monedhë përdoret nga firmat tuaja për të financuar veten në tregjet ndërkombëtare? Mbi të gjitha këto arsye, është shumë më e vështirë të shmanget qendra e dollarit. Unë mendoj se, përsëri, është e mundur që në fusha të caktuara të shihni një erozion në rolin e dollarit në disa aspekte të tregtisë ndërkombëtare. Por kjo është shumë e ndryshme nga miratimi i një strategjie financiare që shmang totalisht dollarin.

REL: Rusia ka rritur pjesën e juanit kinez në rezervat e saj valutore si pjesë e planit të saj financiar. Pse më shumë vende nuk do të miratojnë strategjinë e Rusisë? Çfarë rreziqesh paraqesin vendet duke pasur juanin në vend të dollarëve?

Milesi-Ferretti: Epo, një nga arsyet është siguria dhe tregtueshmëria e mjeteve financiare që përdorni. Kina ka ende kontrolle të përhapura të kapitalit, dhe për këtë arsye tregtimi i mjeteve financiare të shprehura në juan nuk garanton të njëjtën shkallë likuiditeti dhe fleksibiliteti të menjëhershëm ndaj mjeteve të tregtimit të shprehura në dollarë. Ju keni gjithashtu një sistem financiar që është padyshim më i errët dhe me një dorë më të rëndë publike, për sa i përket mënyrës sesi menaxhohet sistemi dhe si evoluon me kalimin e kohës. Kina ka pasur inflacion historikisht të ulët, monedha e saj ka qenë në përgjithësi mjaft e qëndrueshme dhe duke pasur parasysh madhësinë e ekonomisë kineze dhe historikun e saj, nuk është për t’u habitur që ju keni një pjesë të rezervave që janë të shprehura në [monedhën kineze]. Por përsëri, në një sistem financiar global ku vendi ende ruan shumë kufizime në aftësinë e jorezidentëve për të investuar ose për të tregtuar mjete financiare në Kinë, është e vështirë të parashikohet një rol qendror për monedhën [kineze] me të njëjtin rend të madhësisë si dollari. Dhe unë supozoj gjithashtu – nëse mendoni për shqetësimet gjeopolitike – nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që kanë preferenca të forta ndërkombëtare se cilat vende janë aleate dhe cilat vende i konsideron më shumë si sfiduese. Kjo vlen edhe për Kinën.

REL: Cila është më e mira që mund ta arrijë BRICS-i?

Milesi-Ferretti: Ka shumë dëshmi për ta mbështetur idenë se integrimi më i madh mund ta nxisë përdorim efikas të burimeve. Prandaj, ulja e barrierave tregtare mes tyre do të ishte padyshim e dobishme. Mund t’i merrni parasysh disa aspekte të integrimit financiar, të tilla si lehtësimi i kryerjes së transaksioneve financiare me njëri-tjetrin. Megjithatë, unë do të argumentoja se gjasat që kjo të ketë efekte të rëndësishme pozitive për grupin në tërësi është ndoshta më pak e mundshme duke pasur parasysh se ato e tejkalojnë njëra-tjetrën në aspektin e tregtisë, veçanërisht Kinën për prodhim, dhe të tjerët për mallra, por ato ende luajnë rol më të vogël në tregjet financiare. Pra, të tre faktorët – ulja e barrierave tregtare, promovimi i integrimit tregtar dhe transferimi i teknologjisë – mund të jenë të favorshëm. Por unë supozoj se disa nga faktorët motivues mund të shkojnë përtej ekonomisë së përmendur më parë. Nga pikëpamja ekonomike, SHBA-ja ende tregton pak me Kinën. Ka shumë fabrika prodhimi në Kinë. Zinxhirët e furnizimit janë ende atje. Ka shumë ristrukturime që po ndodhin, por ky është një proces i gjatë. SHBA-ja sigurisht që ka lidhje në rritje me Indinë. Ajo bën tregti edhe me Brazilin dhe Afrikën e Jugut, sigurisht që Rusia tani është një çështje tjetër.

REL: A ka ndonjë gjë që SHBA mund apo duhet të bëjë për të ruajtur dominimin e dollarit?

Milesi-Ferretti: Unë do të thosha që është një përfitim anësor i menaxhimit të mirë makroekonomik. Ne kemi sfida objektive fiskale që po afrohen në SHBA. Kemi punësim, por deficiti buxhetor nuk është vetëm i madh, por parashikohet të mbetet i madh për disa vite, dhe nuk ka shumë marrëveshje se si ta ulim atë – përkundrazi, nuk ka asnjë marrëveshje se si ta ulim poshtë. Është një çështje me të cilën në fund do të duhet të përballet SHBA-ja. Nuk është i vetmi vend që përballet me këto sfida, por mosballafaqimi me ato në kohën e duhur është lloji i gabimit që ka pasoja që mund të ndikojnë edhe në statusin e përgjithshëm të dollarit në tregjet ndërkombëtare. Nuk po flas për ndonjë ndryshim dramatik afatshkurtër, por më shumë për përshpejtimin e një procesi afatgjatë. Performanca ekonomike, performanca e tregjeve financiare, menaxhimi i mirë makroekonomik — këto janë bazat që e mbështesin rolin e dollarit si monedhë e sigurt. /REL


Shtuar 2.09.2023 11:18

Tags: ,