A ka mbetur gjykatës në Tiranë?

Nga Lutfi Dervishi

Nuk është fjala a ka gjyqtarë që kanë kaluar apo jo vettingun, por a ka gjyqtarë që jep vendimin bazuar mbi logjikën dhe mbi ligjin. A ka gjyqtarë që i thotë jo arbitraritetit të perandorit/sulltanit/?

A ka gjyqtarë në Tiranë si 300 vjet më parë në Berlin?

Legjenda thotë se Frederiku i Madh kërkoi të shembte një mulli në Potsdam, kundrejt dëmshpërblimit. Mullixhiu nuk pranoi. Kur Frederiku i Madh i kujtoi se mund ta shembte dhe të mos i jepte asnjë kacidhe, mullixhiu-iu përgjigj: ti je perandor, je i plotfuqishëm dhe mund ta shembësh mullirin, por ka ende gjyqtarë në Berlin.

Mulliri është edhe sot e kësaj dite në Potsdam. Nuk bluan grurë, por është kujtesë për traditën gjermane në drejtësi. Eshtë kujtesë që një gjyqtar mund të ndal arbitraritetin e të gjithpushtetshmit.

A ka mbetur ndonjë gjyqtar me integritet në Tiranë që mund të mendojë si prind, të mendojë si biznesmen, të mendojë si qytetar dhe të vendosë me paanshmëri dhe drejtësi një çështje arbitrariteti si ajo e mbylljes së kopështit fëmijëve?!
Nëse gjyqtari/gjyqtarja do të mendonin si prind, do të shqetësoheshin për fatin dhe traumën e fëmijëve të vegjël që nuk kanë mundësi të shkojnë në kopësht sepse ka një urdhër për mbylljen e tij!

Nëse gjyqtari/gjyqtarja do të mendonin si biznesmenë, do të tronditeshin se si arbitrariteti mund të vendosë nëse një biznes do të qëndrojë hapur apo mbyllur!
Nëse gjyqtari/gjyqtarja do të mendonin si punonjës të administratës publike, do të mirëkuptonin heshtjen e atyre prindërve dhe qytetarëve që vuajnë dhe stresohen nga kjo situatë, por nuk protestojnë dot se kanë frikën e vendit të punës.

Nëse gjyqtari/gjyqtarja do të mendonin si qytetarë do të alarmoheshin se si është e mundur që halli i një njeriu në Stamboll apo në Tiranë të përkthehet në hallin e dhjetëra fëmijëve, qindra prindërve dhe mijëra shqiptarëve në Shqipëri!
Çfarë krimi ka kryer ky kopësht fëmijësh? Çfarë ligji ka shkelur? Çfarë dëmi i ka shkaktuar shtetit dhe vendit?
Nëse gjyqtari/gjyqtarja do të mendonin si profesionistë, me veprimet e tyre do të dëshmonin se ka ardhur koha për t’i dhënë një mësim arbitraritetit të kujtdoqoftë.

Nëse gjyqtari/gjyqtarja duan t’i tregojnë opinionit publik se janë ata Zoti në sallë mund ta nisnin nga nxjerrja jashtë salle e “kokoroshëve” të Avokaturës së Shtetit që investohen për një kopsht fëmijësh dhe nuk bëjnë punën e tyre aty ku fluturojnë qindra milionë eurot e taksapaguesve shqiptarë. Këta avokatucër të kujtojnë njeriun që vrapon pas kokrrës së ullirit, ndërkohë që po derdhet fuçia e vajit. Janë 156 milionë euro që do të paguhen nga taksat e shqiptarëve edhe për hajvanllëqet dhe paaftësinë e avokatëve të Shtetit që gjejnë kohë të përfaqësojnë shtetin përballë një kopshti fëmijësh.

Nëse gjyqtari/gjyqtarja do të kenë parasysh kushtetutën, do të kujtohen për nenin 54 që i ofron mbrojtje të veçantë fëmijëve.
Nëse gjyqtari/gjyqtarja do të kujtojnë historinë e mullirit në Potsdam do të sjellin patjetër ndërmend gjykatësit, 300 vjet me parë, në Berlin .. dhe me vendimin e tyre do të kujtohen se nuk është fjala për kopshtin e fëmijëve, por për Shqipërinë, këtë “Kopshtin shkëmbor të Europës Juglindore”, siç thoshte Konica.

Me vendimin e tyre gjyqtari/gjyqtarja nuk do të vendosin fatin e një kopështi apo një shkolle, por vendosin edhe për t’u treguar shqiptarëve të ardhmen e këtij vendi; do të jetë një vend ku sundon drejtësia dhe ligji apo një vend që e ka zënë përfund “halli” i një njeriu në Stamboll apo në Tiranë.
Do të ishte fat nëse ka mbetur ende një gjykatës/e që i skuqet fytyra kur mendon se me vendimin e tij/saj nuk po mbyll thjesht një kopësht fëmijësh, por po i hap derë arbitraritetit dhe padrejtësisë.
Çështja e një kopshti fëmijësh do të na tregojë nëse në gjykata kemi gjyqtar apo qyqar!


Shtuar 29.09.2022 16:03