FMN dhe BB janë kundër, Mete nuk ka një përgjigje mbi Amnistinë Fiskale

I pyetur në lidhje me aministinë fiskale nëse qeveria ka hequr dorë, ministri i Financave Ervin Mete nuk dha një përgjigje konkrete.

Mete theksoi se nuk do të ndërmerret asnjë  masë që bie ndesh me parimet e FTFA (Task Forca për Veprimin Financiar).

Pyetje: A është tërhequr qeveria nga amnistia fiskale?

Ervin Mete: Përgjigja është që ne nuk do të ndërmarrim asnjë masë që bie ndesh me parimet në këtë fushë, me rekomandimet FATF apo me praktika të ngjashme të marrë në vendet e tjera. Cdo masë është në pajtueshmëri me praktikat e tjera.

Çfarë është amnistia fiskale?

Amnistia fiskale dhe penale është nisëm ligjore e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të falur të gjitha gjobat, kamatëvonesat e pasurisë që deklarohet, nëse kryhet regjistrimi i pasurisë së disponuar në 30-vjeçarin e fundit, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit. Personave që aplikojnë për amnisti fiskale u ruhet anonimati dhe nuk i fillojnë procedurat e ndjekjes penale.

Amnistia përjashton 34 kategori, zyrtarë të lartë, të mesëm, të sotëm dhe të dikurshëm dhe familjarët e tyre, (gjyqtarë, policë, nëpunës, guvernatorë, pjesëtarë bordesh, etj), politikanët dhe familjarët e tyre, individë të skeduar me rekorde kriminale të dënuar dhe në hetim (në Shqipëri dhe në Evropë), subjektet e ligjit anti-mafia, subjektet e OFL të verifikuar dhe të pa verifikuar dhe personat që janë pjesë e listës si financues të terrorizmit, por edhe familjarët e tyre.

Sipas draftit të qeverisë, mund të vetëdeklarohet deri në 2 milionë euro pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme, para cash dhe sende me vlerë. Kufiri i deklarimit nuk individual, por familjar, që do të thotë se vetëm një person në familje mund të deklarojë deri në 2 mln euro.


Shtuar 27.10.2023 12:48