Anëtarja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli beson se forca e saj politike do t’i fitojë zgjedhjet, sepse di të rinovojë veten me ide, me njerëz dhe programe.
Me 20 vite eksperiencë në PS dhe si një nga zërat e respektuar të saj, ajo beson se kryesia do të marrë vendime të drejta për kandidatët e bashkive.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë gjatë në pushtet, sepse jemi të duhurit dhe më të mirët në treg”- tha ajo gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.
Për situatën ku ndodhet opozita, Kodheli shpreh se nuk “fërkon barkun dhe të thotë shyqyr që janë këta”.
“Nuk fërkoj barkun dhe them shyqyr që janë këta në këtë derexhe dhe ne të vazhdojmë të qeverisim pavarësisht sesi qeverisim. Një opozitë e përçarë nuk i bën mirë vendit. Shpresoj të jetë një periudhë tranzitore për forcën e djathtë”- u shpreh Mimi Kodheli.
Ajo iu përgjigj pa u shmangur edhe pyetjes nëse është ftohur me Edi Ramën, pasi nuk u vendos në listë fituese në zgjedhjet e fundit.
“Kemi 20 vite që punojmë bashkë. Disa periudha më pranë, disa më larg, por jemi aty e ndiejmë dhe e shikojmë që jemi gjithmonë bashkëpunëtorë. Në kohën e hartimit të listave ka patur një diskutim. Po jua them siç ia thashë kryeministrit Rama: Kam qenë në krye të listës ose në 3-shen e parë te listës. E kam për nder te jem edhe në fund të listës së PS. Unë i shërbej vendit pavarësisht nëse jam nr. 1 apo 35, përsa kohë jam zgjedhur ta bëj këtë punë. Do ta bëj edhe kur të jem 35-a dhe do ta bëj sot, kur jam akoma në piacë, në krye të punëve të politikës.”- u shpreh Mimi Kodheli.