Pas debateve të zhvilluara në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit, deputeti i PD, Noka ka folur për mediat duke u fokusuar te agjenda politike e Partisë Demokratike dhe thirrja për protestë.
Noka u bëri thirrje qytetarëve që më 22 dhjetor të marrin pjesë masivisht në protestën e paralajmëruar në bulevard.
“I bëjmë thirrje shqiptarëve që në 22 dhjetor në orën 17:00 të vërshojnë në bulevard. Pa zgjedhje të lira asgjë tjetër nuk ka kuptim dhe as demokracia,” deklaroi ai.
I pyetur nga gazetarët nëse gjatë mbledhjes i është kërkuar dorëheqja, Noka e hodhi poshtë një mundësi të tillë.
“Po flas këtu për agjendën e PD, ju po flisni për agjendën e qeverisë. Sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush është ajo e Edi Ramës. Asnjë tjetër nuk e qetëson shpirtin e shqiptarëve të vjedhur, Dorëheqja ime apo e dikujt tjetër qetëson vetëm Ramën dhe shërbëtorët e tij, kjo është mëse e qartë,” tha Noka.
Në fund, Noka sqaroi edhe çështjen e firmave për Avokatin e Popullit, duke theksuar se Partia Demokratike ka kërkuar ndjesë për këtë situatë.

