Përpjekjet për të kufizuar ligjërisht qasjen e fëmijëve në mediat sociale në Shtetet e Bashkuara po intensifikohen. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, studiuesit thonë se megjithatë, ka aspekte negative dhe pozitive të të miturve që përdorin platformat.
Nuk do të ketë më qasje në mediat sociale për fëmijët nën 18 vjeç pa lejen e prindërve. Ky do të jetë standardi i ri në Jutah, kur dy ligje të reja të nënshkruara nga guvernatori republikan Spencer Cox do të hyjnë në fuqi në mars 2024.
“Administrata jonë është shumë e shqetësuar se si mediat sociale po ndikojnë tek fëmijët. Shkalla e depresionit tek të rinjtë dhe probleme të tjera të shëndetit mendor janë në rritje, dhe kompanitë e mediave sociale e dinë se produktet e tyre janë toksike”.
Guvernatorët dhe ligjvënës të tjerë në disa shtete gjithashtu duan që kompanitë e mediave sociale të mbajnë përgjegjësi për ato elementë që ata argumentojnë se “krijojnë “vartësi”.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë shkencore për të arritur në përfundimin se mediat sociale janë shkaku i vetëm i problemeve të shëndetit mendor tek të miturit, thotë Mitch Prinstein, me Shoqatën Amerikane të Psikologjisë.
“Në vend të kësaj, duhet të flasim se cilat janë veçoritë specifike të ndërtuara në platformat e mediave sociale, // dhe cila është përmbajtja specifike ndaj të cilës fëmijët mund të ekspozohen në mediat sociale, që mund të jetë e dobishme ose e dëmshme për cilin fëmijë”.
Meta, kompania që ka në pronësi Instagramin, i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë, se përveç heqjes së përmbajtjes që nxit vetëdëmtimin, ajo ka mjete që i ndihmojnë adoleshentët të kenë përvoja të përshtatshme për moshën.
Snapchat punon vazhdimisht për ta bërë platformën më të sigurt, i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i kompanisë.
Megjithatë, shkollat në Siatëll dhe shtete të tjera kanë ngritur padi duke fajësuar gjigantët e teknologjisë për një krizë të shëndetit mendor mes nxënësve.
Sipas ekspertes së mediave dixhitale, Katie Davis, media sociale shpesh përforcon dobësitë që ekzistojnë, por është një mjet që ka edhe aspekte pozitive.
“Për sa i përket qasjes së adoleshentëve në informacion dhe mbështetjes në internet për identitetet e ndryshme që ata po eksplorojnë”.
Mediat sociale krijojnë gjithashtu mundësi edukimi, thotë studiuesja Linda Charmaraman, konsulente e pavarur për Metën.
Ajo inkurajon gjigantët e teknologjisë që të punojnë më ngushtë me shkencëtarët dhe të gjejnë mënyra efektive për të mbështetur mirëqenien e përdoruesve të rinj të mediave sociale.
“Gjeni mënyra interesante dhe inovative për të kuptuar se dikush ka vështirësi. // Ata mund të gjenin mënyra që mund ta bënin median sociale jo aq tërheqëse”.
Zonja Charmaraman beson gjithashtu se prindërit dhe mësuesit duhet të jenë të përgatitur mirë për përfitimet dhe sfidat e mediave sociale, në mënyrë që ata të mund të identifikojnë sjelljet e padëshiruara te fëmijët dhe të ofrojnë udhëzime përkatëse./voa