A do t’i mbijetojë Erdoganizmi Erdoganit?

Nga Marco Carnelos “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë ditëve para samitit vjetor të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, të gjithë aktorët kryesorë vëzhguan me nervozizëm lëvizjet e njërit prej anëtarëve të aleancës. Sidomos aktorja kryesore e NATO-s Shtetet e Bashkuara, së bashku me 3 protagoniste të tjetra.

Së pari Suedia, kandidate për t’u anëtarësuar në aleancë. Së dyti Ukraina e ngratë, që 15 vjet pas Samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, ku u njoftua hyrja e saj e ardhshme në organizatë, u detyrua të kënaqej me një përfundim identik me atë të pesëmbëdhjetë viteve më parë.

Së treti Bashkimi Evropian, që në një botë ideale ku të vlerësohej autonomia, edhe sikur të ishte vetëm strategjike, do të dallohej qartazi nga NATO. Dhe në origjinën të tensioneve në brigjet e Baltikut ishte presidenti turk Recep Tayyp Erdogan.

Për disa ditë ai i mbajti të gjithë pezull, përpara se të jepte dakordësinë e tij për hyrjen e Suedisë në Aleancën Atlantike, edhe pse u kujdes të shtojë se fjalën e fundit e ka parlamenti turk në kontekstin e rinisjes së procesit të pranimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, i pezulluar që nga viti 2007.

Kjo situatë duhet të ketë krijuar gjithashtu shumë konfuzion me ndryshimin e roleve tragjikomike. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha se hyrja e Suedisë në NATO është një “hap historik”, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pohoi se “Turqia është më afër BE-së”.

Asgjë më e mirë se sa këto dy deklarata të ndërthurura, nuk ilustron më së miri faktin se sa të mbivendosura janë tani këto dy organizatat dhe sa analogë janë drejtuesit e tyre përkatës. Duke lënë mënjanë aktorët mbështetës, pra liderët aktualë të NATO-s dhe BE-së, është më e përshtatshme të fokusohemi tek protagonistët.

Tek ata që për mirë apo keq kanë bërë dhe po bëjnë historinë. Në këtë paraqitje të parë të shekullit të 21-të, presidenti turk duket se ndjehet me rolin që po luan aktualisht. Gjatë 2 dekadave të fundit, është e vështirë të gjesh një udhëheqës më të paparashikueshëm, më mendje-hapur, por në të njëjtën kohë më karizmatik se sa presidenti aktual i Turqisë.

Me gjasë është shumë herët të imagjinohet nëse ky i fundit do të ketë në vendin e tij një ndikim të barabartë apo më të madh se Mustafà Kemal, babai i Turqisë moderne. Por s’ka dyshim se përballë rëndësisë ndërkombëtare që Erdogan ka mundur t’i sigurojë vendit të tij, ai i Kemal Ataturkut, mbetet më në hije.

Në këto 2 dekadat e fundit, nuk ka pasur asnjë çështje ndërkombëtare ku Turqia të mos ketë luajtur një rol: NATO, BE, Irak, Siri, Libi, Afganistan, Ukrainë, konflikti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, konflikti izraelito-palestinez, çështja kurde, terrorizmi, Pranvera Arabe, Islami politik, flukset emigratore, çështjet energjitike, siguria ushqimore etj.

Sigurisht, politika e jashtme turke ka njohur suksese dhe dështime. Ndër këto të fundit, më i rëndësishmi ka ndodhur në Siri. Përpjekja e Edogan për të rrëzuar Bashar Al-Assad ka dështuar dhe dëmi anësor – mbështetja për fundamentalizmin islamik dhe celulat pranë Al Kaedës – kanë pasur një kosto të lartë.

Në mesin e këtij dëmi, nuk duhet harruar rritja e flukseve emigratore drejt Evropës në vitin 2015. Gjithsesi Erdogan nuk u dorëzua dhe vazhdoi të luante në shumë tavolina. Luftarak në Kurdistanin turk dhe atë irakian, vendimtar në fitoren e Azerbajxhanit përballë Armeninë, shumë pranë një suksesi spektakolar në ndërmjetësimin e një armëpushimi të mundshëm midis Rusisë dhe Ukrainës në pranverën e vitit 2022, vendimtar në arritjen e marrëveshjes për eksportet e drithit ukrainas, që parandaloi për një farë kohe një krizë ushqimore globale.

Në Vilnius, Erdogan i luajti mirë kartat e veta. Sot për sot askush nuk beson se Turqia do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE. Por udhëheqësi turk do të kishte marrë në çdo rast një sërë lëshimesh: një regjim më liberal të vizave për në BE për qytetarët turq, përmirësim të marrëveshjes aktuale doganore me BE-në dhe se fundi, drita jeshile e SHBA-së për dërgimin e avionëve të rinj F16.

Situatat potencialisht destabilizuese si djegia publike provokuese e Kuranit, e autorizuar në mënyrë të sikletshme dhe të pakuptueshme nga autoritetet suedeze, nuk kanë pasur asnjë efekt, duke konfirmuar pragmatizmin e madh që Erdogan – nëse është e nevojshme – është në gjendje të demonstrojë.

Një nga prioritetet kryesore të BE-së, menaxhimi i flukseve emigratore nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, mbetet i varur nga vullneti i Turqisë, që mban miliona refugjatë sirianë dhe që luan një rol kryesor në Libi, nga ku vjen një përqindje e madhe e flukseve emigratore nga Afrika në Evropë.

Prandaj, Ankaraja vazhdon të zbatojë një politikë të gjeometrisë së ndryshueshme: ajo është anëtare e NATO-s, por nuk pajtohet me sanksionet perëndimore kundër Rusisë; luan rolin e ndërmjetësit në konflikt, por më pas mbështet aspiratën e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO dhe liron 4 anëtarë të Brigadës Azov të kapur në Mariupolit, duke sabotuar marrëveshjet e nënshkruara me Moskën për shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Pas burimeve të shpenzuara ndër vite në mbështetje të Vëllazërisë Myslimane, një Turqi e uritur për kapital po hapet tani ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe sapo ka rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Egjiptin. Madje ka zëra për një udhëtim të ardhshëm të presidentit El Sissi në Ankara.

Erdogan duket gjithmonë i gatshëm të ndryshojë pozicionet e tij sipas leverdisë së momentit. Dhe shumë shpejti mund të bëhet anëtari i parë i NATO-s që do t’i bashkohet BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), grupimit që gjithnjë e më shumë është alter ego e G7-ës në skenën ndërkombëtare, dhe e cila dukej e orientuar drejt krijimit të monedhës së saj për tregtinë si një alternativë ndaj dollarit.

Një sfidë kjo shumë e fortë ndaj Shteteve të Bashkuara, pasojat e mundshme të të cilit janë ende për t’u vlerësuar. Ky lloj qasje fillon të etiketohet me një term ‘Erdoganizëm’, ose një kombinim i ideologjisë, përdorimit të forcës, këmbënguljes dhe pragmatizmit.

Një ideologji që i ka rrënjët në Islamin politik, dhe që e lejon Erdoganin të përfitojë ende nga një zonë e gjerë mbështetjeje në thellësi të Anadollit. Pragmatizmi ndiqet për interesin e vendit por mbi të gjitha interesin e tij personal me një slogan të thjeshtë “Dje ishte dje, dhe sot është sot!”.

Pra çdo gjë është e mundur. Në sjelljen e tij, presidenti turk përdor një dozë frikësimi dhe shprese. Për të plotësuar tiparet e spikatura të Erdoganizmit, kontribuon një dozë e fortë populizmi që ndikon tek baza. Shumë vepra të mëdha infrastrukturore të ndërtuara nga Erdogan në 20 vitet e fundit, janë kritikuar fort nga partitë laike.

Por është fakt që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë turke, gjen tek këto arritje bazat për një krenari të fortë kombëtare. Natyrisht, problemi kryesor i Erdoganit është vetja e tij, sidomos kokëfortësia e tij. Në aspektin ekonomik, ku gjendja e Turqisë nuk është aspak rozë, edhe për shkak të tërmetit, ai ka bërë disa zgjedhje që bien hapur ndesh me bazat e makroekonomisë.

Për shembull, pretendimi për të luftuar nivelin e lartë të inflacionit duke ulur dhe jo rritur nivelin e normave të interesit. Por në këmbim të pranimit të Suedisë në NATO, presidenti amerikan Biden thuhet se i ka premtuar Erdogan një hua prej 11-13 miliardë dollarë që do të vihet së shpejti në dispozicion nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Një krizë financiare, mund të jetë kërcënimi kryesor që i afrohet Turqisë. Por ka të ngjarë që edhe në këtë rast Erdogan do të ketë disa “lepuj” për t’i nxjerrë nga “kapelja” e tij si një prestigjator i shkathët. Në fund të fundit, ai ka në dorë një pjesë të furnizimeve energjetike të Evropës në një moment shumë kritik.

Mbi të gjitha, nëse do të ndodhej në një qorrsokak, ai mund të hapte kufirin dhe të dërgonte në Evropë miliona emigrantë. Ndërsa në çështjen komplekse turke askush nuk duket se zotëron kartat fituese, pyetja kryesore mbetet: A do t’i mbijetojë Erdoganizmi Erdoganit? /albeu.com


Shtuar 4.09.2023 10:57