Nga Robert Kuttner “American Prospect”
Kriza e politikës së jashtme e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, është shndërruar në një krizë energjitike evropiane, që nga ana e saj mund të shkaktojë një krizë ekonomike globale. Putini iu kundërpërgjigj sanksioneve ushtarake dhe ekonomike të Evropës me sanksione energjetike.
Në fillim duke e reduktuar, më pas duke i ndërprerë plotësisht dërgesat e gazit rus drejt vendeve evropiane. Kjo lëvizje ekstreme e lë Evropën të rrezikuar seriozisht nga mungesa e energjisë elektrike, që është shumë e nevojshme për shtëpitë, bizneset dhe fabrikat e saj, dhe që mjerisht nuk ka asnjë zëvendësim të shpejtë.
Strategjia e Putinit demaskoi 2 premisa të vjetra dhe tejet naive të politikës së BE-së. Së pari, idenë se Evropa mund të mbështetet tek gazi rus për një pjesë të madhe të nevojave të saj energjetike. Dhe së dyti, supozimin se parimet e tregut të lirë mund të rregullojnë çmimin dhe shpërndarjen e energjisë.
Në terma afatgjatë, ky ndërgjegjësim i vrazhdë, do të përshpejtojë kalimin e vonuar tek energjia e rinovueshme. Por në një periudhë afatshkurtër, dhe me afrimin e motit të ftohtë, pasojat do të jenë të tmerrshme. Përtej kostove më të larta si dhe mungesave të mundshme të energjisë për konsumatorët, një numër i madh fabrikash po reduktojnë tashmë prodhimin ose po mbyllen për shkak të rritjeve drastike të kostove të energjisë.
Evropa mbështetet tek gazi për rreth 1/4 e nevojave të saj për energji. Çmimet e gazit në Evropë aktualisht janë më shumë se 10 herë më të larta sesa mesatarja e asaj që kanë qenë gjatë dekadës së fundit. Por edhe me rritjen e sasive të magazinuara në depozita, kërkesa për energji elektrike është relativisht joelastike.
Ndërkaq, çmimet shumë më të larta të nxitura nga bojkoti i Rusisë ndaj Evropës, nuk do të bëjnë që kërkesa e konsumatorit të bjerë shumë, dhe as të materializohet më shumë oferta alternative. Në dallim nga nafta bruto, e cila ka një çmim global, tregjet e gazit janë më të segmentuara.
Pas ndërprerjes së eksporteve të gazit natyror nga Rusia në Evropë, çmimi i gazit në kontinent është aktualisht rreth 34 dollarë për MMBtu, krahasuar me vetëm 8 dollarë në SHBA. SHBA ka furnizime të mjaftueshme për nevojat e veta të brendshme.
Madje e eksporton një pjesë të gazit në Meksikë dhe Kanada, ndërsa një pjesë të gazit natyror të lëngshëm e transporton me anije. Kompanitë tregtare në këtë fushë kanë arkëtuar fitime të mëdha duke e eksportuar LNG në Evropë. Por ato kanë disa kufizime praktike mbi sasinë që mund të eksportojnë.
Deri në vitin 2016, SHBA nuk eksportonte asnjë sasi të gazit të lëngshëm. Sot, eksportet e LNG-së janë rreth 10 për qind e prodhimit total amerikan. Por nuk ka ende asnjë gazsjellës transatlantik, dhe portet e specializuara të LNG në të dy anët e oqeanit po punojnë aktualisht në kapacitet të plotë, teksa po ndërtohen porte të tjera.
Pra, ndryshe nga supozimet e ekonomisë standarde, çmimet e gazit në SHBA dhe Evropë nuk do të jenë të përafërta në të ardhmen e parashikueshme. Të premten e kaluar në Bruksel, Sekretari i Shtetit Tony Blinken i kërkoi Evropës të mos heqë sanksionet kundër luftës së Putinit, duke deklaruar: “Ne nuk do t’i lëmë të ngrijnë miqtë tanë evropianë”.
Por ky ishte një zotim bosh. SHBA nuk ka asnjë burim të madh energjie që mund të zëvendësojë gazin e Putinit. Evropianët janë të përgatitur që të pezullojnë përkohësisht ndjekjen e objektivave për mbrojtjen e klimës, duke vazhduar të mbajë në punë termocentralet.
Por Evropës i mungon kapaciteti për të kaluar tek burimet e tjera të furnizimit me energji në vëllimin e duhur. Gjermania çaktivizoi shumicën e termocentraleve të saj bërthamore dy dekada më parë. Ajo do të shtyjë mbylljen e 3 termocentraleve të mbetur. Por kjo do të sigurojë vetëm një pjesë të vogël të nevojave gjermane për energji.
Gjeneratorët evropianë që punojnë me gaz, nuk mund të kalojnë lehtësisht tek nafta apo qymyri. Një magazinim i madh mund të ndihmojë disi, por nuk mund të plotësojë boshllëkun. Problemi i Evropës përkeqësohet edhe nga fakti se BE-ja përbëhet nga 27 shtete anëtare, secili me një përzierje të ndryshme të burimeve të energjisë dhe interesave kombëtare.
Një politikë emergjente që do t’i shërbente nevojave të një vendi të caktuar, mund të përkeqësonte vështirësitë e një vendit tjetër në union. Të premten e kaluar, Ministrat e Energjisë të vendeve BE-së, u takuan në një seancë urgjente në Bruksel për të hartuar një politikë të përbashkët.
Tani për tani, duket se strategjia do të jetë një përzierje e kufizimit të çmimeve të gazit, subvencionimit të kostove për konsumatorët, si dhe përdorimit të taksave mbi fitimin shtesë të kompanive energjitike, për të përballuar një pjesë të shpenzimeve buxhetore.
Por fillimist strategjia duhet të miratohet nga Komisioni Evropian dhe më pas nga një super-shumicë e vendeve anëtare. Ndërkohë, vendet kryesore të BE-së po zhvillojnë politikat e tyre kombëtare. Edhe nëse Evropa bën gjithçka siç duhet në menaxhimin e krizës së saj energjetike, disa efekte ekonomike negative janë të pashmangshme.
Edhe pa bojkotin e fundit të gazit nga Rusia, Evropa ishte në prag të një krize stagflacioni. Në dallim nga SHBA, ku papunësia ka qenë afër niveleve rekord, mesatarja e papunësisë në BE këtë vit ka qenë mbi 6 për qind. Ndërsa ka qenë vetëm 2.8 për qind në Gjermani, ajo e ka tejkaluar nivelin 7 për qind në Francë, 8 për qind në Itali dhe 12 për qind në Spanjë.
Me presionin e çmimeve më të larta të energjisë, inflacioni i BE-së në mbi 9 për qind, e tejkalon nivelin e SHBA-së. Kjo krizë i bën jehonë krizës së stagflacionit të viteve 1970, e cila nisi si një përgjigje ndaj një konflikti të politikës së jashtme, që i rriti çmimet e energjisë, dhe më pas u shndërruar në një krizë të përgjithshme ekonomike të keq-menaxhuar nga drejtuesit e bankave qendrore.
Në atë rast, vendet e OPEC, të zemëruara nga ndihma ushtarake e Perëndimit për Izraelin, e 4-fishuan çmimin e naftës. Rezerva Federale e përkeqësoi krizën duke u kapluar nga paniku mbi nivelin e inflacionin dhe duke rritur normat afatshkurtra të interesit në mbi 20 për qind, gjë që shkaktoi enkas një recesion.
Në krizën aktuale, e cila është shkaktuar nga përdorimi si një armë i gazit nga Rusia, Rezerva Federale Amerikane (FED) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE), janë në një lloj dueli se kush do të rrisë më shumë normat bazë të interesit. Rritja e normës në SHBA-së e çoi dollarin në nivele të reja të larta kundrejt euros. Javën e kaluar, BQE rriti sërish me 0.75 për qind normat e interesit në euro.
Kjo lëvizje ishte pjesërisht për të mbrojtur monedhën, dhe pjesërisht nga e njëjta fobi e gabuar nga inflacioni që ka prekur edhe FED-in. Edhe më shumë se sa në SHBA, inflacioni i Evropës nuk është rezultat i kërkesës së tepërt, por pasojë e goditjeve që ka pësuar oferta. Normat e larta të interesit në euro, nuk do të bëjnë që Putini të rinisë furnizimet me gazin rus. Bankierët qendrorë në të dy anët e Atlantikut duhet ta dinë më mirë këtë. Rreziku është që kriza energjetike e Evropës, e shoqëruar nga politikat e këqija të bankave qendrore, ta shtyjë në recesion si Evropën po ashtu edhe SHBA-në.
Pyetja kryesore sot në politikën e jashtme, është se kush do të tërhiqet i pari. Pezullimi i eksporteve të gazit natyror në Evropë, po i kushton shumë para ekonomisë ruse. Ndërkohë, Ukraina ka shënuar arritje befasuese në fushën e betejës, duke e zmbrapsur kërcënimin rus.
Problemi është se me vazhdimin e luftës kundër Ukrainës, Putini e ka vënë në rrezik presidencën e tij, dhe nuk ka asnjë arsye që mund ta lejojë Putinin të heqë dorë nga shantazhi dhe të rinisë furnizimet me gaz.
Që të ndodhë kjo, Putin duhet të arrijë në përfundimin se lufta nuk ia vlen të vazhdohet për shkak të humbjes së mbështetjes së brendshme, dhe të bjerë dakord për një lloj marrëveshje për paqe. Teorikisht e mundur, por në kushte aktuale jo dhe aq./abcnews.al