Nga Joschka Fischer “Project Syndicate”
Përktheu Alket Goce – AlbEu
Epoka e stabilitetit global pas vitit 1945 ka mbaruar njëherë e mirë. Nga bota bipolare e Luftës së Ftohtë tek bota unipolare e dominuar nga amerikanët që e zëvendësoi atë, ne kemi përfituar prej kohësh nga një ndjenjë e rendit strategjik.
Megjithëse pati shumë luftëra më të vogla (dhe madje disa më të mëdha), nga Koreja dhe Vietnami deri në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, sistemi ndërkombëtar mbeti përgjithësisht i qëndrueshëm dhe i paprekur. Megjithatë, që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri, ky stabilitet ia ka lënë gjithnjë e më shumë vendin një rivaliteti të përtërirë midis fuqive të mëdha, ndër to Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Për më tepër, ka qenë prej kohësh e qartë se India, Brazili, Indonezia, Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Irani, dhe ndikimi politik dhe strategjik i ekonomive të tjera në zhvillim, do të rritet. Po ashtu edhe roli i tyre brenda sistemit global.
Në kontekstin e një konflikti të thelluar midis Kinës dhe SHBA-së, këto fuqi në rritje do të kenë shumë mundësi për të vënë kundër njëra tjetrës dy superfuqitë e shekullit XXI. Në fakt, shumë nga këto mundësi duken shumë të mira për t’u shpërdoruar.
Ndërkaq në Rusi, elitat politike i kanë konsumuar energjitë e tyre me fantazitë mbi rikthimit të shtrirjes territoriale dhe të peshës gjeopolitike të Bashkimit Sovjetik, por edhe
të Perandorisë Ruse para këtij të fundit. Nën presidentin Vladimir Putin, politika ruse ka synuar gjithnjë e më shumë të përmbysë trashëgiminë e epokës së menjëhershme të pas Luftës së Ftohtë.
Në të kundërt, Perëndimi – pra SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, pas zgjerimit të tij që nga viti 2004 – ka pranuar rendin bazë të pas Luftës së Ftohtë në Evropë. Për këtë qëllim, ajo ka mbetur e përkushtuar në mbrojtjen e vlerave bazë si e drejta e vendeve për vetëvendosje dhe paprekshmëria e kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Këto vlera dhe angazhime të ndryshme, e bënë të pashmangshëm një konflikt mbi ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, siç e pamë në Gjeorgji në vitin 2008. Në Ukrainë, hapi i
parë erdhi kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014. Por pika e kthesës nuk ndodhi deri në shkurtin e vitit të kaluar, kur Kremlini nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë të vendit dhe i dha fund epokës së paqes në Evropë.
Kontinenti u nda edhe njëherë në dy kampe. Përpjekja e Putin për të rishkruar historinë
me forcë, nuk është vetëm një tragjedi për popullin ukrainas si dhe një sfidë për sigurinë evropiane. Ajo është gjithashtu një kritikë e fortë për të gjithë sistemin ndërkombëtar të shteteve kombëtare.
Tek e fundit, shumë nga fuqitë e reja globale dhe ato në zhvillim, kanë refuzuar të anojnë në mënyrë të paqartë me Ukrainën, dhe disa duke ndjekur drejtimin e Kinës, kanë qëndruar hapur në krah të Rusisë ose kanë mbetur “neutrale” në interes të përfitimit të disa avantazheve taktike.
Pasoja është se këto vende, janë të gatshme të anashkalojnë një shkelje flagrante të parimeve thelbësore mbi të cilat bazohet sot stabiliteti global. Por rreziku më i gjerë për sistemin ndërkombëtar nuk buron nga lufta në Ukrainë (Rusia është shumë e dobët për të paraqitur një kërcënim të vërtetë global), por nga përkeqësimi i marrëdhënieve SHBA-Kinë.
Është e vërtetë, që pavarësisht retorikës luftarake të Kinës mbi Tajvanin, dhe stërvitjeve të saj ushtarake në ujërat përreth ishullit, konfrontimi i deritanishëm është më pak ushtarak sesa ekonomik, teknologjik dhe politik. Por kjo është një rehati naive, sepse kemi të bëjmë me një konflikt që intensifikohet dhe ku nuk ka një fitues.
Disa nga humbësit më të mëdhenj në këtë përballje, ka të ngjarë të jenë Japonia dhe
Evropa. Kompanitë kineze kanë ndërtuar kapacitete të mëdha prodhimi në industrinë e automobilave – sidomos me makinat elektrike (EV) – dhe tani janë gati t’ua kalojnë prodhuesve evropianë dhe japonezë të makinave, që kanë qenë prej kohësh dominues në tregun global.
Si për t’i përkeqësuar më tej bërë gjërat, kundërpërgjigja e vetë Amerikës ndaj konkurrencës kineze është të ndjekë një politikë industriale, e cila do të jetë në kurriz të prodhuesve evropianë dhe atyre japonezë.
Ligji i miratuar së fundmi, Akti i Reduktimit të Inflacionit, ofron subvencione të mëdha për makinat e prodhuara në SHBA. Nga këndvështrimi i SHBA-së, politika të tilla vrasin me një gur dy zogj: mbrojnë prodhuesit e mëdhenj vendas dhe u ofrojnë atyre stimuj për të vazhduar me zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së makinave elektrike.
Rezultati përfundimtar do të jetë një riorganizim i plotë i industrisë globale të makinave, me Japoninë dhe Evropën (kryesisht Gjermaninë) që do të jenë më pak konkurrente duke humbur një pjesë të tregut. Dhe le të mos harrojmë, që ky zhvillim i madh ekonomik përfaqëson vetëm fillimin e një përplasjeje shumë më të madhe globale dhe të një riorganizimi strategjik.
Evropa duhet të bëjë jo vetëm më shumë përpjekje për të ruajtur modelin e saj ekonomik gjatë këtij riorganizimi të ekonomisë globale. Por ajo duhet gjithashtu të menaxhojë kostot e larta të energjisë, hendekun në rritje të teknologjisë dixhitale përballë dy superfuqive, si dhe nevojën urgjente për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për t’iu kundërvënë kërcënimit të ri nga Rusia.
Të gjitha këto prioritete do të bëhen edhe më urgjente me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA, duke pasur parasysh mundësinë reale që Donald Trump të rikthehet për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Kësisoj, Evropa e gjen veten në një situatë dukshëm të pafavorshme për të.
Ajo është e pozicionuar në një rajon gjithnjë e më të rrezikshëm. Megjithatë mbetet një konfederatë e shteteve-kombe sovrane, të cilat nuk kanë grumbulluar kurrë vullnetin për
të arritur integrimin e vërtetë. Edhe pas dy luftërave botërore dhe Luftës së Ftohtë prej dekadash.
Në një botë të dominuar nga shtete të mëdha dhe me buxhete ushtarake në rritje, Evropa nuk është ende një fuqi e vërtetë. Nëse do të mbetet kështu, kjo do të varet nga evropianët. Bota nuk do të presë që Evropa të rritet në lartësinë e sfidave me të cilat përballet. Në rast se Evropa do të përballet me reformimin që po i ndodh aktualisht rendit global, do të ishte më mirë që të fillonte së shpejti të përgatitej ose mundësisht ta kishte bërë që dje.
Shënim:Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendëskancelar në vitet 1998-2005./albeu.com