Ditën e sotme në orën 17:00 kryedemokrati Lulzim Basha pritet të komunikojë vendimin që pritet të marrë për të ardhmen e Partisë Demokratike.
Përveç Grupit Parlamentar, në mbledhjen e sotme të njoftuar nga Basha, pritet të jenë edhe anëtarët e kryesisë si edhe krerët e Partisë Demokratike nëpër rrethe.
Kujtojmë se një numër i madh deputetësh i kanë kërkuar Bashës dorëheqjen.
Fakti që ai ka mbledhur në një sallë tre struktura tregon se do t’u komunikojë atyre një vendim, për të cilin disa ditë më parë kërkoi kohë që ta marrte. Koha mbaron sot, prandaje dhe duket se këto janë orët e fundit para se të vendoset gjithçka mbi PD.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Bashës, nga i cili do të rrjedhin më pas ngjarjet e tjera brenda PD-së, por paraprakisht në lojë janë dy skenarë.
Skenari i parë është që Basha të japë dorëheqjen dhe partia të drejtohet nga një grup deputetësh nga ata që mbështesin atë dhe Berishën për ta çuar deri në zgjedhje.
Skenari i dytë është që Basha të mos pranojë të japë dorëheqjen sot, gjë që do të bëjë që deputetët brenda Grupit Parlamentar të fillojnë të mbledhin firmat me qëllim që t’i kërkojnë Kryetares së Parlamentit që ai të mos jetë më pjesë e grupit.