Kreu i Urgjencës Skënder Brataj ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në “Zona Zero” ku ka folur për pandeminë dhe ka komentuar deklaratën e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për vendosjen e“Green Pass” për të hyrë në lokale.
Brataj tha se deklarata e Manastirliut është keqkuptuar, dhe se deri tani nuk është marrë asnjë vendim i tillë që duhet një Green Pass për t’u futur në lokale.
“Mënyra si veprohet në Europë është kjo, por këtu ende nuk është marrë asnjë vendim. Krahasimi është që në të gjitha vendet e tjera po bëhet. Monitorimi dhe analiza e situatës bëhet në çdo moment, por deri tani nuk është marrë asnjë vendim. Kemi vënë re se si shtet kemi ruajtur një linjë tonën, ku ka muaj të tërë ku nuk kanë ndryshuar masat. E rëndësishme është të respektohen ato që janë në fuqi. Deri tani asnjë vendim i tillë nuk ekziston,” tha Brataj.
Pyetje: A do duhet një Green Pass?
“Në fillim diskutohej për vaksinën, a do ekzistojë apo jo. Tani jemi në momentin që a ta bëjmë vaksinën apo jo. Shikoni Bullgarinë e Rumaninë, që kanë përqindje të ulët vaksinimi dhe shikoni sa të vdekur po ka. Çdo shtet ka gjetur mënyrën e vet për të imunizuar popullin e vet. Danimarka ishte vendi i parë që rriti vaksinimin masiv dhe hoqi masat. Nuk ka një model perfekt. Çdo shtet reagon në bazë të situatës ku ndodhet”./albeu.com