Nga Anne O.Krueger “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Fryma e turit të fitores që po zhvillon presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan pas rizgjedhjes së tij muajin e kaluar nuk do të zgjas shumë, sepse vendi i tij është në prag të një krize të rëndë ekonomike. Ekonomia e Turqisë ishte në krizë që kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdogan, u ngjit për herë të parë në pushtet në vitin 2002.
Në atë kohë, shumica e turqve donin të anëtarësoheshin në Bashkimin Evropian. Prandaj qeveria e AKP-së, të cilën Erdogan e drejtoi në vitet 2003 deri në vitin 2014, kohë kur u bë president, zbatoi shumë reformat ekonomike dhe aplikoi zyrtarisht për anëtarësimin në union.
Deri në vitin 2010, këto reforma ishin duke funksionuar siç duhej. Të ardhurat për frymë ishin 3-fishuar, duke bërë që Banka Botërore ta klasifikonte Turqinë si një vend me të ardhura të mesme të larta. Norma e inflacionit kishte rënë në një nivel njëshifror nga një rekord prej mbi 100 për qind, edhe pse ekonomia u rrit me shpejtësi.
Por pavarësisht këtij progresi, negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian kishin ngecur. Me zbehjen e shpejtë të perspektivës së anëtarësimit në union, Erdogan nisi që t’i kthejë shpinën Evropës. Strategjia e tij e re politike ishte t’i bënte thirrje fesë së turqve ruralë, një lëvizje që përfshinte një zhvendosje nga kompetenca teknokratike tek populizmi autoritar.
Me një popullsi prej 85 milionë banorësh, dhe e pozicionuar në një rajon gjeopolitik që përfshin Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Lindjen e Mesme, Erdoganit do t’i duhej gjithmonë të luante një lojë diplomatike të ndërlikuar. Pasi nuk arriti të siguronte një listë dëshirash për blerjen e avionëve luftarakë dhe armëve të tjera nga Shtetet e Bashkuara, ai bleu armë nga Rusia.
Vitin e kaluar, ai ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Ukrainës dhe Rusinë për të lejuar eksportin e grurit nga portet ukrainase, ndërsa po vazhdon të bllokojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke përmendur si justifikim strehimin që u ofron Suedia individëve të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
Distancimi nga BE-ja është ndoshta më i dukshëm në politikat ekonomike të Erdogan, të cilat janë bërë gjithnjë e më jo të disiplinuara dhe të çrregullta. Për të financuar projektet ambicioze në infrastrukturë – duke përfshirë ndërtimin e një ure të tretë përtej Bosforit,
një kanal të ri, një aeroport të ri dhe një pallat presidencial me më shumë se 1 mijë dhoma – ai u mbështet gjithnjë e më shumë në hyrjet e kapitalit të huaj për të kompensuar deficitet në rritje të llogarisë korente të Turqisë.
Më pas, ndërsa inflacioni u rrit, ai këmbënguli në uljen e normave bazë të interesit – pikërisht e kundërta e praktikës standarde të bankave qendrore (për të mos përmendur logjikën ekonomike normale).
Ndaj nuk është e habitshme pse ajo shkaktoi rënien e kursit të këmbimit të lirës, për të cilën Erdogan shpresonte se do të nxiste rritjen e eksporteve. Më në fund, pas 5 vitesh zhvlerësim të lirës, ai u përpoq të ndalonte rrëshqitjen drejt një krize të rëndë përmes një përpjekje të pasuksesshme për të kompensuar rritjen e inflacionit.
Nga fillimi i vitit 2022, situata ekonomike në Turqi ishte tashmë e rëndë. Inflacioni po shkonte në nivele 3-shifrore, kursi i këmbimit valutor ishte mbivlerësuar seriozisht, ndërsa deficiti i llogarisë korente po rritej me shpejtësi. Dhe e gjitha kjo për shkak të asaj që “The Economist” e quajti “ekonomia Vudu” e Erdogan.
Duke shprehur besimin e tij se inflacioni mund të ulet përmes uljes të normave të interesit, ai ka ndërruar 4 guvernatorë të bankave qendrore brenda pak vitesh. Në drejtimin e tij, u zbatuan masa të veçanta për tërheqjen e kapitalit të huaj me të cilin do të financonte programet e tij ambicioze të shpenzimeve.
Midis tyre ishte një angazhim publik që turqit që mbanin depozita bankare në monedhën kombëtare lira, që do të kompensoheshin për çdo zhvlerësim më të madh sesa norma bazë e interesit. Deri në fillim të këtij viti, depozita të tilla arritën në rreth 125 miliardë dollarë, ose rreth 1/7 e PBB-së së Turqisë në vitin 2022.
Sikur të mos mjaftonte kjo, qeveria gjithashtu zbatoi disa politika të keq-këshilluara përpara zgjedhjeve presidenciale të muajit maj. Shpenzimet publike u rritën, dhe paga minimale u rrit me 55 për qind. Turqit morën gaz falas për një muaj dhe përfituan nga shumë lehtësi të tjera.
Ndaj nuk ishte e çuditshme që inflacioni arriti një normë vjetore prej thuajse 100 për qind dhe mallrat bazë të konsumit – si buka (e subvencionuar) – thuhet se janë në mungesë. Më pas ishte tërmeti i fortë me magnitudë 7.8 ballë që goditi Turqinë Juglindore në fillim të shkurtit, që i mori jetën më shumë se 55.000 njerëzve, duke shkatërruar shumë banesa, rrugët dhe infrastrukturën në përgjithësi. Burimet e nevojshme për rimëkëmbjen dhe rindërtimin do të kishin vënë në vështirësi të madhe edhe një qeveri që i ka financat në rregull.
Në fakt, e vetmja arsye pse ekonomia turke nuk ishte tashmë në një krizë të gjerë shumë kohë përpara zgjedhjeve, është se Erdogan arriti të sigurojë mbështetje financiare nga vende të tjera, veçanërisht nga Arabia Saudite.
Duke shfrytëzuar pozicionin gjeopolitik të Turqisë, ai ishte në gjendje të ruante nivelin e tij të shpenzimeve derisa turqit të hidhnin votat e tyre në kuti. Por tani që ka fituar një mandat tjetër, pritet të përballet me realitetin e ekonomisë.
Nëse vendet e tjera nuk janë të gatshme të vazhdojnë financimin e shpenzimeve të tepërta qeveritare të Turqisë (dhe politikat kundër-produktive të normave të interesit), ai do të detyrohet të ndërmarrë reforma serioze. Përndryshe, Turqia do të humbasë qasjen në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe perspektiva e saj ekonomike do të jetë vërtet katastrofike.
Erdogan ka emëruar tashmë një Ministër të ri të Financave dhe një Guvernatore të re të Bankës Qendrore, të cilët janë të që dy figura shumë të respektuara. Në rast se administrata e re do të ndërmarrë një sërë reformash politikash – përfshirë rritjen e mjaftueshme të normave të interesit, lejimin e zhvlerësimit të lirës dhe miratimin e një buxheti realist – ajo mund të shmangë krizën dhe të nisë një rritje më të qëndrueshme të ekonomisë.
Por suksesi do të kërkojë disa reforma të dhimbshme. Nëse qeveria e re nuk trajton çështjet themelore ose nuk merr financime të mëtejshme nga vendet mike, atëherë një krizë e rëndë ekonomike do të bëhet e pashmangshme. Dhe kjo do të ishte një tjetër tragjedi për Turqinë, dhe një sfidë tjetër e madhe për Evropën dhe pjesën tjetër të botës.
Shënim:Anne O.Krueger, ish kryeekonomiste e Bankës Botërore dhe ish-zëvendësdrejtoreshë e parë menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Aktualisht profesore e ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin Xhon Hopkins.
/albeu.com