A do ta përdorë Rusia bombën bërthamore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të NATO-s?

Nga Peter Huessy “National Interest

Rreth 3 dekada pas fundit të Luftës së Ftohtë dhe shembjes së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe NATO po përballen me rreziqet e një lufte të mundshme bërthamore, një zhvillim që mund të krahasohet edhe me Krizën e Raketave Kubane të vitit 1982 sa i përket dramacitetit të ngjarjeve.

Jetike për rezultatin e ardhshëm të konfliktit aktual mbi Ukrainën është përgjigjja ndaj pyetjes:Sa serioze janë kërcënimet bërthamore të Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s? Sipas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kërcënimet bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin janë një bllof, një argument që mbështetet edhe nga ish-kryeministër rus, që thekson se Putin nuk e ka seriozisht me kërcënimin e forcës bërthamore për hir të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, është më pak i sinqertë. Ai thotë se Lufta e Tretë Botërore do të jetë një luftë me armë bërthamore, duke nënkuptuar se konflikti aktual mund të dalë shumë lehtë jashtë kontrollit.

Shumë deklarata të tjera zyrtare të qeverisë ruse, kanë theksuar haptazi se përgjigja e Rusisë ndaj çdo vendi të NATO-s që ndërhyn në konfliktin mbi Ukrainën, do të sjellë “pasoja të papara kurrë më parë”, duke nënkuptuar përdorimin e armëve bërthamore nga Moska. Ndërkohë,

Mark Schneider, një nga ekspertët kryesorë amerikanë mbi çështjet bërthamore ruse në Institutin Kombëtar për Politikat Publike, më shpjegoi se secila nga 3 administratat e fundit – nga Barack Obama, Donald Trump dhe tani Joe Biden – e ka pranuar se Rusia ka miratuar politikën e përdorimit të një sulmi të kufizuar me armë bërthamore, për të mbyllur një krizë ose një konflikt konvencional me kushte të favorshme për Rusinë.

E gjithë kjo e ka përqendruar vëmendjen tek parandalimi i një lufte bërthamore, duke e vënë theksin tek një mbrojtje e zgjeruar e SHBA-së ndaj aleatët e NATO-s, si dhe ndaj aleatëve të saj në Paqësorin Perëndimor, përfshirë Korenë, Japoninë dhe Tajvanin.

Burimet e qeverisë ruse, theksojnë gjithashtu se Moska ka avantazhe bërthamore në llojet e armëve bërthamore që mund të përdorë në Ukrainë, sidomos sa i përket shpejtësisë me të

cilën mund të lëshohen armë të tilla. Gjatë dëshmisë së tij në Capitol Hill, kreu i Komandës Strategjike, Admirali Charles Richard deklaroi se modernizimi i planifikuar bërthamor i Shteteve të Bashkuara konsiderohej si aftësia minimale e nevojshme për të përballuar kërcënimin në rritje si nga Kina, po ashtu edhe nga Rusia që janë të armatosura me armë bërthamore.

Kjo nënkupton se mund të garantohen përpjekje shtesë për modernizimin e arsenalit bërthamor, për të frenuar akoma më mirë kërcënimet ruse. Thuhet shpesh se një tregues i seriozitetit të Moskës, është nëse Putin ka urdhëruar vërtet apo jo forcat e tij bërthamore që të vihen në një gjendje më të lartë gatishmërie.

Ndonëse është e paqartë sesa Rusia e ka ndryshuar në mënyrë operacionale dislokimin e forcave të saj bërthamore, shumica e tyre mund të zhvendosen nga pozicionet e tyre aktuale edhe në kohë paqeje, pa u ridislokuar domosdoshmërisht nga garnizonet e tyre të lëvizshme të raketave, portet detare apo aeroportet.

Siç e shpjegon edhe Peter Pry, nëse sisteme të tilla mbeten të pandryshuara, ky nuk është tregues i qëllimit apo i aftësisë së Moskës për t’i përdorur këto armë. Prandaj, pyetja ka të bëjë më pak me lëvizjet ruse dhe më shumë me atë nëse aftësitë parandaluese të SHBA-së, qofshin ato konvencionale apo bërthamore, mbeten mjaftueshëm të besueshme për ta frenuar Moskën nga përshkallëzimi i konfliktit në nivelin bërthamor.

Shtetet e Bashkuara kanë në Evropë më pak se 200 bomba bërthamore të instaluara në avionë që ndodhen në bazat e vendeve të ndryshme evropiane anëtare të NATO-s. Por SHBA-të nuk kanë raketa të armatosura me armë bërthamore që mund të lëshohen nga deti, pasi ato u eliminuan gati një dekadë më parë.

Fatkeqësisht, këtu nuk hyn procesi i kontrollit të armëve. Në dallim nga sistemet strategjike ruse me rreze të gjatë veprimi, rezervat e saj të armëve bërthamore taktike, që thuhet se janë rreth 2.000, nuk kufizohen nga asnjë lloj traktati mbi kontrollin e armëve.

Për më tepër, duke pasur parasysh kërcënimin e Moskës për të përdorur vetëm një numër të kufizuar armësh të tilla, Rusia ka më shumë se mjaftueshëm armë bërthamore në dispozicion për t’i përdorur në Evropë. Një kontekst më i gjerë i pushtimit të dytë rus të Ukrainës, është objektivi afatgjatë i Moskës për ta shkatërruar NATO-n, përveç neutralitetit të Ukrainës, pavarësisht se kjo e fundit nuk është ende një anëtare e NATO-s.

Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se Moska nuk ka në dispozicion forca të mjaftueshme për të arritur fitoren në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara po përballen tani me detyrën serioze të pengimit të përdorimi të armëve bërthamore në një konflikt rajonal.

Për më tepë r, sfida ndoshta më e madhe me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara, është të sigurohet që lufta e nisur nga Putin të mos zgjerohet përtej Ukrainës në Baltik, dhe tek aleatë të tjerë të pavarur të Shteteve të Bashkuara.

Në rast se Shtetet e Bashkuara do të dështojnë të reagojnë ndaj kërcënimeve bërthamore të Putinit, nga frika se kjo do të shkaktojë një Apokalips, NATO mund të shpërbëhet, pasi anëtarët e saj do të kërkojnë individualisht marrëveshje sigurie me Moskën për të parandaluar konflikte të mëtejshme.

Një pasojë përfundimtare që ia vlen të merret në konsideratë, është ajo që Kina do të arrijë në kundërpërgjigje ndaj pafuqisë së mundshme të NATO-s. A do ta lexojë udhëheqja e Partisë Komuniste Kineze mosveprimin e NATO-s, si një reflektim të vullnetit të Shteteve të Bashkuara për të mos e mbrojtur Tajvanin?

Kësisoj, 3 dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara ndodhen sot në një pozitë edhe më të rrezikshme se më parë. Dhe kjo sepse Uashingtoni nuk po përballet vetëm me një kundërshtar totalitar të armatosur me armë bërthamore, por me dy të tillë. Pyetja nëse aspiratat e liderëve të tyre për hegjemoni globale, mund të frenohen nga perspektiva e një apokalipsi nuk ka qenë kurrë më e pasigurt.


Shtuar 21.03.2022 11:17