A do ta nxjerrë Bashën nga zyra? Sot Berisha protestë te selia e PD, çfarë pritet të ndodhë

Sot, 8 janar, ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur protestë para selisë së Partisë Demokratike me qëllim nxjerrjen e kryetarit Lulzim Basha nga zyra, me arsyetimin e ai është shkarkuar me 44 mijë vota të anëtarëve të PD-së, në referendumin e 18 dhjetorit.

Berisha së bashku me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit dhe mbështetësit e tij do të jenë në orën 12:00 para selisë, ndërkohë që kjo e fundit është prej disa ditësh totalisht e mbyllur për shkak të punimeve që po kryhen aty.

Nga ajo që është parë deri më tani, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka marrë masa për fortifikimin e selisë dhe akuzohet se ka blinduar të gjitha hyrjet për në ambientet e brendshme. Kryedemokrati nuk do ta injorojë protestën, ai, në të njëjtën kohë që do të zhvillohet protesta, do të mbledhë Grupin Parlamentar dhe Kryesinë.

Berisha është i vendosur të marrë selinë, dhe për nxjerrjen e Bashës nga zyra, është shprehur se do ta bëjë me “pekule”, ndërsa blindat do t’ja çojë me kamion pranë shtëpisë së tij. Por, gjithashtu thotë se protesta do të jetë paqësore, ndërsa një nga anëtaret e Komisionit të Rithemelimit, Evi Kokalari ka thënë se mund të ketë gjakderdhje.

PD-ja gjendet në një nga momentet më të vështira që nga themelimi i saj si parti, dhe kjo ka ardhur që pas datës 9 shtator, ditë kur kryetari Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi i PD-së Berishës, pasi Departamenti Amerikan e shpalli “non grata”. Që prej asaj dite, Berisha dhe Basha janë në një “betejë” se kush do ta drejtojë PD-në. Berisha me Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin një javë më pas e shkarkoi Bashën, ndërsa ky i fundit e përjashtoi Berishën nga çdo detyrë në PD, në Kuvendin ё 18 dhjetorit./albeu.com


Shtuar 8.01.2022 08:22