Në dekadën e fundit shumë shkolla janë mbyllur, teksa klasat vit pas viti po boshatisen nga nxënësit si rrjedhojë e procesit të plakjes së popullsisë, me rënie të mprehtë lindjeve dhe emigrim të lartë të moshave të reja.
Zhvillimet demografike, e kanë përmirësuar ndjeshëm raportin nxënës për mësues sidomos vitet e fundit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin shkollor 2023-2024, një mësues në para-universitar mësoi mesatarisht 11.4 nxënës, nga 18.9 në vitin 2000 dhe 16.1 në vitin 2010.
Faktet tregojnë se rënia e numrit të nxënësve për mësues, nuk e ka përmirësuar as cilësinë e arritjeve mësimore dhe as ngarkesën për trupën arsimore.
Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në Vlerësimin ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që u krye në vitin 2022.
Në matematikë ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012.
Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012. Edhe në shkenca rënia ishte e ngjashme.
Nga ana tjetër, mësuesit pohojnë se ngarkesa në punë, që nuk ka lidhje me mësimdhënien, është rritur ndjeshëm.
B.Sh mësuese e lëndës së letërsisë në një nga gjimnazet e qarkut Korçës tha se, ngarkesa që lidhet me dokumentacionin është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Gjithnjë e më shumë pjesa burokratike, po merr përkushtimin e mësuesve në disfavor të mësimdhënies.
Digjitalizimi i dokumentacionit është kthyer në makth e stres për mësuesit më të vjetër që nuk janë brezi i teknologjisë.
Me një tranzicion që nuk po mbaron, mësuesit kanë humbur armën e tyre më të fortë që siguron arritjet mësimore “autoritetin”.
Mësuesi B. M. që jep lëndën e biologjisë në bashkinë e Kukësit, thotë se autoriteti i mësuesit ka rënë në nivele shqetësuese.
“Mësuesi aktualisht është një figurë që cenohet nga çdo palë, si politika, drejtuesit arsimore, prindërit dhe nga nxënësit. Klasat po bëhen të pa-menaxhueshme nga zhurmat apo sjellja e nxënësve. Ne shume raste mësuesi luan rolin e policit dhe jo mësuesit”, tha ai.
Presioni i prindërve është rritur, liria e nxënësve ka e bërë të pamenaxhueshëm mësimin dhe autoriteti i mësuesit ka rënë, tha A.K. mësuese në Tiranë.
“Kur kam filluar punën në vitet 2000 kishte më shumë respekt për figurën e mësuesit, si nga nxënësit dhe prindërit. Mësuesi gëzonte mbështetje dhe kjo na bënte më efektiv në shkollë. Tani mësuesi nga një autoritet absolut në shkollë është kthyer në qendër sulmi”, thotë mësuesja A.K.
“Prindërit gjithnjë janë kthyer në mburojë të tepërt për fëmijët. Në shumë raste duke mos-përmbushur detyrat prindërore në shtëpi (të mos lejojnë pa kriter teknologjinë) akuzojnë stafin e shkollës”, thotë mësuesja e matematikës N.M.
Pothuajse të gjithë mësuesit e intervistuar, pohojnë se politika ndërhyn shumë në shkollë dhe karriera nuk bëhet me meritë, por me njohje dhe kontribute politikë.
Tani kur bota po hyn në një revolucion teknologjik, shkollat shqiptare ende vuajnë nga infrastruktura bazike dhe për tepër financimet që jep qeveria shqiptare nuk sigurojnë përmirësimin në të ardhmen.
Po shkollat shqiptare po vuajnë boshatisjen dhe rënien e cilësisë. Ndërmjet 2010-2023, numri i nxënësve në arsimin 9-vjecar ra me 34 për qind ndërsa i mësuesve me 7%.