Nga 6 bashkitë pa kryetarë, Partia Socialiste u dakordësua në mbledhjen e sotme të kryesisë vetëm për 5 kandidatë, ndërsa Lushnja, bashkia që mbeti pa kryetar pas arrestimit të Fatos Tushes vazhdon të jetë pezull. Kjo pasi emri i kryetares së komanduar Eriselda Sefa nuk ka marrë miratimin e palëve në mbledhje dhe caktimi i kandidatit është shtyrë për të martën.
Kush janë 5 kandidatët për kryetarë bashkie të PS?
Majlinda Angoni
Majlinda Angoni do të garojë për bashkinë e Shkodrës duke synuar një bastion të të djathtëve që aktualisht drejtohet nga Voltana Ademi.
Kjo e fundit po qëndron në detyrë përtej afateve pasi kandidati pa rival socialist në zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri, u dogj nga ligji i dekriminalizimit. Angoni me origjinë shkodrane është prefekte e qarkut të Shkodrës që prej shtatorit të vitit 2020.
Majlinda Angoni
Blerim Shera është emri surprizë në radhët e kandidatëve, i cili do të garojë në siglën e PS për bashkinë e Vorës. Ai është psikolog/mësues në shkollën e Vorës ndërsa më herët ka qenë në Yrshek.
Blerim Shera
Durrësi i është besuar Emirjana Sakos, kryetares në detyrë që pas dorëheqjes së ish-kryetares Valbona Sako për një deklaratë që u bë virale pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit. Më herët Sako kishte mbajtur postin e Drejtores së Shërbimeve.
Emirjana Sako
E njëjta strategji është ndjekur edhe për Rrogozhinën ku kandidat për të qenë kryetar me të drejta të plota ligjore do të jetë Edison Memolla emri i komandudar i socialistëve pas vdekjes së ish-kryetarit Haxhi Memolla.
Edison Memolla
Në Dibër kandidat është Rrahim Spahiu një profil ndryshe nga ai i mëparshëm. Spahiu është drejtor i një banke të rëndësishme në vend. Me origjinë nga Dibra, Spahiu prej vitesh jeton në Tiranë. /abcnews.al