585 kg kokainë në Greqi, arrestohen 4 shqiptarë, policia: Droga erdhi nga Shqipëria, kishte simbole naziste mbi pako

Nuk ishte hera e parë që policët e Prokurorisë së Narkotikëve të Selanikut gjendeshin përballë një ngarkese kaq të madhe kokaine.

Megjithatë, këtë herë sasia ishte padyshim spektakolare, mbi gjysmë ton kokainë të pastërtisë së lartë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Selanik.

Gjatë prezantimit të rastit nga policia, pakot me lëndën narkotike, 585 kg, kanë formuar një kodër.

Të gjitha pakot kishin simbole mbi to, përfshirë edhe simbolin nazist,, që duket se i referohet praktikës së karteleve të Amerikës Latine për të identifikuar sasitë e mëdha të kokainës që prodhojnë në laboratorët e tyre.

Informacioni për ngarkesën mbërriti tek autoritetet greke  përmes zyrës së Administratës Amerikane të Antidrogës (DEA) në Athinë.

Zyrtarisht nuk dihet se si dhe kur ka mbërritur droga, por konsiderohet e sigurt se ngarkesa është transportuar me traget bregdetar për në portin e Selanikut. Ajo është marrë nga anëtarë të një grupi që kanë udhëtuar drejt Greqisë nga Shqipëria, ku duket se ndodhet edhe baza e aktivitetit të tyre kriminal.

Policia ka vëzhguar lëvizjet e dyshimta të personave të përfshirë, anëtarë të organizatës kriminale dhe pas një operacioni të gjerë që kulmoi të enjten e kaluar, u arrestuan gjithsej pesë persona, katër shqiptarë dhe një grek.

Shqiptarët janë të moshës 50 dhe 42 vjeç dhe dy mbesat e tyre 21 dhe 33 vjeç.

Ata përballen me akuzat e krijimit dhe anëtarësimit në një organizatë kriminale, trafikimin e lëndëve narkotike, bashkërisht dhe profesionalisht (në formën e importimit, ruajtjes, posedimit dhe transportit).

Vlera e kokainës

Siç u bë e ditur gjatë prezantimit të rastit nga Policia, sasia e sekuestruar llogaritet të vlejë nëse shitet me shumicë nga 11 deri në 33 milionë euro.

Në doza më të vogla, mund të arrijë edhe 175 milionë euro. Nga dokumentet gjyqësore të çështjeve përkatëse rezulton se shpenzimet e transportit për çdo kilogram kokainë arrijnë në 2000 euro, ndërsa “shpërblimi” i ndërmjetësve, që zakonisht janë zyrtarë të korruptuar të qeverisë, që ndihmojnë veprimtarinë e bandave mund të arrijë në 12 mijë euro për kilogram.

Për sa i përket çmimit të shitjes, sipas të njëjtave dokumente, në territorin grek llogaritet se kur kokaina shitet me shumicë (zakonisht në sasi mbi 5 kilogramë), vlera e saj varion nga 32.000 deri në 60.000 euro, për kilogram. Përkundrazi, kur shitet me pjesë, pra me pakicë, çmimi i tij fillon nga 60 mijë dhe i afrohet 120 mijë euro për kilogram./Albeu.com/


Shtuar 2.10.2023 14:10