Nga Lutfi Dervishi
Çdo fund viti është bërë si traditë që media të rendisë 10 apo 100 njerëzit më të shquar të vitit. Televizione dhe gazeta nxitojnë të nxjerrin njeriun e vitit në shkencë, në art, në komunikim, në teknologji, në novacion, në sport- dhe Shqipëria njihet si vend që prodhon shkencëtarë e novatorë artistë, influencera me rrezatim jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.
Lista e 500 shqiptarëve më të shquar për vitin 2022 nuk i përket sferës së biznesit ku fare mirë në këtë listë mund të sistemoheshin biznesmenë që kanë “fituar” tenderat me 99.99% të fondit limit, mund të spikasnin “investitorë strategjikë” që dalin nga vendimet e zbardhura të qeverisë, në këtë listë mund të ishin edhe investitorë të huaj nga ata që kanë 10 vjet që kanë zënë radhën për të investuar në Shqipëri. Por, jo.
Lista e 500 shqiptarëve të shquar nuk i përket as taksapaguesve dhe bamirësve që ky vend i ka me shumicë. Kjo listë mund të bëhej publike, por “kur jep dora e majtë, e djathta nuk duhet ta dijë”
Në listën “Top 500” nuk bëjnë pjesë as zjarrëfikësit, as mjekët, as policët. Jo se nuk e meritojnë, por puna e tyre nuk ka të krahasuar me angazhimin, mundin dhe sakrificën e heronjëve të vërtetë të vitit 2022
Te këta heronj nuk bëjnë pjesë as ministrat, deputetët dhe zyrtarët që për çdo fatkeqësi që kalon vendi janë në këmbë, në ballë të situatës, nuk janë as ata që po punojnë nate dhe ditë, as ata që nuk njohin pushimin se #punojnëpapushim. Jo. Heronjtë e vërtetë janë të tjerët.
Këta heronj nuk janë as ata që kanë lehtësuar këtë vit kalimin e 12 mijë shqiptarëve në kanalin e La Manshit. 500 heronjtënuk janë të përzgjedhur as mes 12 mijë shqiptarëve që duke parë kushtet e vështira në të cilat ndodhet Anglia pas Brex-it lanë Mëmëdheun, lanë shtëpi dhe katandi dhe në traditën më të mirë të solidaritetit, vajtën për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.
500 heronjtë e përzgjedhur mes qindra të tjerëve janë ata që orar e pa orar iu përgjigjen detyrës karshi publikut, njerëz që asnjëherë nuk panë rehatinë e tyre personale, njerëz që nuk dallojnë ditën nga nata, të hënën nga e diela, ja pra këta janë heronjtë që vrapuan gjatë 2022 duke sfiduar herë paragjykimet, herë motin e keq dhe gjithmonë trafikun.
500 shqiptarët që meritojnë nderimin dhe përuljen e të gjithëve janë mes nesh, por si të thuash janë “fshehur” në vendin më të dukshëm- në ekranin e TV. Heronjtë e vërtetë janë të ftuarit nëpër emisione të panumërta televizive. Për të kuptuar sakrificën sublime të këtyre heronjve mjafton vetëm fakti se një televizion ka nevojë për 50 të ftuar në ditë. 15 televizione informative (pa llogaritur televizonet gjeneraliste dhe tv publik) kanë nevojë për minimumi 750 të ftuar në ditë. Janë qindra në mos mijëra që mbajnë gjallë debatin e shëndetshëm publik në Shqipëri, pa të cilin, demokracia do të vdiste dhe jeta do të bëhej pa kuptim.
As zjarrëfikësit, as mjekët, as policët, madje as patronazhistët nuk mund të krahasohen me ushtrinë e të ftuarve në ekran. Duke vrapuar nga njëri emision i televizionit në tjetrin, nga një TV në tjetrin, publiku shqiptar për çdo ditë të 2022 u informua, argëtua dhe mbi të gjitha u iluminua jo vetëm për çfarë ka ndodhur dhe ç’do të ndodhë në Shqipëri, por edhe për ngjarjet me rëndësi planetare, si ngrohja globale, terrorizmi, lufta në Ukrainë, konfliti në Jemen, zgjedhjet në Kirgistan dhe protestat në Kazakistan. Publiku u informua për të gjitha çështjet ndërkombëtare për të cilat patën dilema zërat kopetentë nga Uashingtoni dhe Londra. Falë analistëve, komentatorëve, editorialistëve, opinionistëve, kolumnistëve, influencarve, moderatorëve, studiuesve, kritikëve, vëzhguesve, juristëve, specialistëve, ekspertëve, Shqipëria mbylli një vit në një kohë që është në pikëpyetje të madhe fakti nëse edhe vendet e tjera do të arrijnë ta mbyllin vitin.
Një dolli me fund për heronjtë e vërtetë të 2022!