Sot shënohet 50-vjetori i revoltës së Spaçit dhe ish-kryeministi Sali Berisha, në takim është shprehur se në momente kritike për PD-në, të përndjekurit politikë kanë luajtur rol vendimtar në mbijetesën e kësaj partie.
“Frymëzimi nga kjo ngjarje, inspirimi i njeriut nga kjo ngjarje, nga sakrifica sublime dhe heroizmi i Skënder Dajës, Dervish Pekës dhe heronjve të tjerë është i përjetshëm për njeriun.
Sot ne i nderojmë ata në 50-vjetorin e rënies dhe ndërkohë që në krye në pushtet, qëndrojnë pasardhësit e atyre xhelatëve që ekzekutuan me gjyq special në kampin e Spaçit heronjtë e kësaj revolte. Dhe që i dënuan mbi 80 prej tyre me dënime nga më të rëndat.
Në 32 vite, e kam thënë dhe e them, në momente kritike për PD-në, të përndjekurit politikë kanë luajtur rol vendimtar në mbijetesën e kësaj partie.
Në këtë kontekst, unë dua t’u siguroj ju, dua të siguroj këtë shtresë se PD mbetet pafundësisht mirënjohëse për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
Sikundër, si parti e vlerave konservatore, e lirisë dhe dinjitetit të njeriut, e lirisë kombëtare, PD konsideron lumenjtë e sakrificave të të burgosurve dhe përndjekurve politike, si themelet e saj. Si trashëgiminë e saj më të ndritur.
Në këtë kontekst, pa diskutim PD, me gjithë përpjekjet që ajo ka bërë, në programin e saj, do ridimensionojë fuqishëm të gjithë qëndrimet ndaj kësaj sakrifice kombëtare që u bë nga qindra-mijëra shqiptarë, të cilët ranë për t’u bërë të pavdekshëm. Ose kaluan rininë apo jetën e tyre në burgjet apo kampet e përqendrimit të diktaturës më të egër që Europa kishte njohur ndonjëherë.
Kam vlerësimin më të madh për të gjithë ata të përndjekur, të burgosur, që në parimin e madh ‘rrno për me tregue’, po shkruajnë, kanë shkruar, kanë publikuar dhe publikojnë dëshmitë e tyre. Ato janë dhe do jenë një monument madhështor i shpirtit të pamposhtur të shoqërisë shqiptare. Se pjesa tjetër u nënshtrua, kjo është fakt.
Por me historitë, me veprat e tyre po krijojnë, po mbushin një boshllëk të tmerrshëm që ekzistonte. Natyrisht, e gjithë historia e falsifikuar, letërsia e glorifikimit të të keqes, arkivohet në arkivat e antivlerave të një kombi”, tha Berisha./albeu.com