“5 vite punë me detyrim”, studentët e Mjekësisë kërkojnë të takohen me Avokatin e Popullit

Studentët e Mjekësisë, të cilët kundërshtojnë ligjin që i detyron ata të qëndrojnë 5 vite në Shqipëri pas diplomimit, kanë kërkuar të takohen me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca.

Studentët thonë se ligji “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë Mjekësi e Përgjithshme në institucionet publike të arsimit të lartë” u shkel të drejtat dhe liritë e tyre si studentë, mjekë të ardhshëm dhe si qytetarë.

Kërkesa drejtuar Avokates së Popullit, Znj. Erinda Ballanca është bërë nga përfaqësuesit e studentëve te mjekësisë: Dea Guri, Eliot Sulçaj, Mikel Seferi, Arbëri Shehu, Zino Veleshnja.

“Deri më tani kemi përdorur mjere të ndryshme të shprehjes së pakënaqësive, duke filluar nga formulimi i potecionit dhe mbledhja e firmave të studentëve të mjekësisë, ku mbajmë qëndrim kategorikisht kundër projektligjit, dhe pjesëmarrjen tonë në komisione, konkretisht Komisioni për punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të  Drejtat e Njeriut.  Ju bëjmë me dije që në komisionin e fundit, përfaqësueve tanë ju mohua e drejta për të marrë pjesë dhe për t’u dëgjuar denjësisht, pavarësisht kërkesave për pjesëmarrje si  grup interesi që dërguam drejtuar Komisionit. Kemi kërkuar gjithashtu të dëgjohemi edhe në seancën plenale përkatëse, kërkesë që na u mohua sërish”-thuhet në kërkesën e tyre.

Më 21 korrik 2023 në seancën e fundit plenare, Kuvendi miratoi me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë. Sipas ligjit, studentët aplikantë në Mjekësi që futen këtë vit në sistem, janë të detyruar të firmosin një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 5 vjeçare pas diplomimit.

Ndërsa ata që vijojnë studimet nga viti i dytë deri në të gjashtin, kanë mundësi të firmosin marrëveshjen që i detyron të punojnë 2 ose 3 vite në Shqipëri.

Në të kundërt do të paguajnë tarifë të plotë studimi.

Më 25 korrik studentët patën një takim me Presidentin  Begaj për t’i kërkuar mosdekretimin e ligjit të ri.

Studentët e Mjekësisë kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor nëse ligji miratohet në Kuvend, ata janë shprehur se do të vijojnë protestat deri në fund madje kanë parlajmëruar se ligjin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese./Albeu.com/


Shtuar 2.08.2023 15:51