Sikur të mos mjaftojë lënia në harresë, pa investime në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime, shkolla e qendra shëndetësore, qindra familje aty kërcënohen edhe me humbjen e pronës.
Pas projektit të Unazës së Re, projekti i hekurudhës, është ai që rrezikon t`u shkatërrojë banesat rreth 70 banorëve. Këtë gjë konstatoi në këtë zonë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, i cili takoi banorët e Laprakës i shoqëruar nga deputetja Albana Vokshi dhe kandidati për këshillin bashkiak Bled Marku. Ky i fundit tregoi se për projektin e hekurudhës nuk ka njoftim.
“Jo, informacion zyrtar nuk ka. Por çka thuhet nga informacionet e siguruara privatisht, rrjeshti i parë, brezi i parë i godinave private, pasi pallatet i kanë mbaruar. Mund të jenë afërsisht 60-70 shtëpi”-u shpreh Bled Marku.
Jo vetëm marrja e banesave, por projekti i hekurudhës rrezikon të ndajë shumë familje nga njëra tjetra, ndaj Belind Këlliçi tha se zgjidhja për këtë do të jetë ndërtimi i një mbikalimi.
“Pjesa e mbikalimit, ne e kemi përmendur bashkë edhe herë tjetër, mbikalimi këtu është një zgjidhje perfekte për banorët, që të lidhet zona, për të bërë të mundur që të shkojnë te të afërmit, në anën tjetër. Ajo pjesë zgjidhet! Pastaj pjesa e shpronësimeve, a kane ndonjë informacion qytetarët kush preket? Për sa shtëpia bëhet fjalë?”.
Më tej, teksa pa nga afër situatën në të gjitha zonat që preken nga projektet infrastrukturore, Belind Këlliçi garantoi banorët se të gjithë do të dëmshpërblehen ose me vlerën e tregut, ose do të marrin metrat katror siç i kanë pasur më parë.
_”Pa diskutim të gjithë rastet do të trajtohen një për një, siç kemi thënë tek “5 Maji”, do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. Do trajtohen të gjitha atyre që u preket shtëpia. Edhe ata me dokumenta edhe ata pa dokumenta do trajtohen do të gjejnë të gjithë zgjidhje.
Dhe ndërkohë që ne do t’i japim dy zgjidhje: Ose do të marrin metrat aty ku ishin në një godinë afër kur të ndërtohen godinat, sa metra kanë pasur, ose do të dëmshpërblehen me vlerë tregu, por pa i trajtuar nuk i lëmë. Por derisa të bëhet projekti, do të marrin bonus qiraje padiskutim”_ – tha Belind Këlliçi.
Teksa vijoi takimet dhe shtrëngoi duart me dhjetra qytetarë e banorë të Laprakës, në prani edhe të kamerave dhe gazetarëve që lajmerohen nga ekipi i tij, Belind Këlliçi denoncoi mungesën e ujit në këtë zonë.
Në një nga rrugët e kësaj lagje, gjatë ecjes, ishte një autobot, ku qytetarët mbushnin ujë për të pirë, pasi në Laprakë ujë nuk ka.
“Ja uji i Erion Velisë, UKT-ja e Laprakës. Ja uji i pijshëm që vjen, ja po mos të jetë ky furgon, po mos të jetë ky ujë, s’kanë ujë banorët. Marrin ujë, vetëm kaq shiheni realitetin. Ftojeni pyeteni Erion Velinë, merreni njeherë e di ai këtë situatë? Ai që thotë ka 24 orë ujë të pijshëm në Tiranë”-tha Belind Këlliçi.
Për këtë problem, teksa u ndal në një takim të shkurtër me disa banorë të Laprakës, Belind Këlliçi tha se do të ketë zgjidhje pas 14 majit. Ai u shpreh se edhe në Laprakë do të punohet që ujë të ketë mesatarisht 14 orë në ditë, ndërsa renditi edhe disa nga prioritet e tij për zonën.
“Për ujin e pishëm, ta përmenda vet, është një problem që nuk e keni vetëm ju. Dhe prandaj po ta them dhe një herë që padiskutim do të ndërhyjmë për ta zgjidhur këtë çështje. Nuk ju premtoj 24 orë ujë të pijshëm. Por po të them, minimalisht me pas 14 orë ujë të pijshëm në ditë, të rregullta me orare të përcaktuara, bëhet. Stacioni do të vijë këtu në kufij ku ju duhet juve dhe ku ju shërben juve. Në mënyrë të padiskutueshme është gjëja më e lehtë në botë. Dhe kopshtet dhe një çerdhe patjetër që do ta sistemojmë, do ta ndërtojmë sepse ka territor kjo njësi”.
Një tjetër problem, i denoncuar dhe më herët nga shtabi elektoral i Belind Këlliçit, është infrastruktura e amortizuar në Laprakë.
Teksa u ndal në një nga zonat e populluara të kësaj zone, Belind Këlliçi tregoi sesi rrugët e lagjes janë lënë në harresë nga Erion Veliaj, i cili ndërkohë është shprehur se në këtë zonë janë bërë investime të mëdha.
“Ja rrugët e bashkisë Tiranë, këto janë rrugët që s`dalin kurrë në media, shihini vet nuk ka nevojë për komentet e mija, flasin vetë rrugët. Po të gjitha kështu janë në Laprakë, gjithë këto rrugë kështu janë. Erion Veliaj thotë kemi bërë investimet më të mëdha në Laprakë në 30 vjet, s`i ka bërë njeri thotë”.
Belind Këlliçi takoi dhjetëra subjekte biznesesh në Laprakë, ku prezantoi programin e tij për uljen e taksave dhe tarifave vendore.
Bizneset kanë mirëpritur programin e Belind Këlliçit, teksa shumë prej tyre në këtë periudhë janë në presion për shkak se i druhen frikës nga tatimet.