4 muaj pas tragjedisë në spitalin e Tetovës, ende pa përgjigje konkrete për shkaqet e zjarrit

Katër muaj nga tragjedia në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetët katërmbëdhjetë persona, shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta. Prokuroria nuk ka hapur hetim ende, me pretekstin se pret kthimin e raportit të ekspertëve gjermanë, rrjedhimisht s’ka as përgjegjësi për rastin. Pavarësisht se spitali modular i shkrumbuar tashmë nuk është objekt hetimi, nuk është marr asnjë hap për pastrimin e terrenit. Gërmadhat që la pas zjarri kujtojnë për çdo ditë ngjarjen e trishtë tetovarëve.

“Këto gërmadhat kur i shohim ne na trishtojnë çdo ditë. Kjo s’është pamje e mirë as për ne për mëhallën e as për popullin. Trishtim i madh ka qenë atë natë, shumë, s’di çka të them, nuk funksionon asgjë, duhet patjetër të hiqet të pastrohet kjo”.

“Ne çdo ditë kalojmë këtu kjo është rruga jonë, duhet të hiqet kjo po, por në fillim dikush të merr përgjegjësi përse u dogjën këto njerëz, përse ndodhi kjo, se nuk është hera e parë, ndodhi edhe autobusi në Bullgari askush përgjegjës, a do merret ndonjëherë përgjegjësi në këtë shtet apo jo”.

“Është detyrë e institucioneve kjo, normal që na trishton kjo kështu”.

Të pyetur në  Ministrinë e Shëndetësisë për heqjen e objektit të djegur të modularit në Tetovë, thonë se ky është obligim i Spitalit klinik të Tetovës.

“Pas ndërtimit të tyre, modularët iu janë dorëzuar spitaleve për menaxhim, andaj, mbetet obligim i tyre që të bëjnë pastrimin, respektivisht heqjen e mbetjeve të modularit”.­- thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Me të njëjtat pyetje, ekipi i televizionit Alsat i është drejtuar edhe Spitalit klinik të Tetovës. Drejtori i këtij spitali, Amir Elezi, përmes telefonit, është përgjigjur se heqja e objektit do të ndodh sa të jep lejen prokuroria.

“Kemi diskutuar për heqjen e këtij objekti dhe nuk mungon vullneti nga ana jonë për ta larguar të njëjtin, pas çka i jemi drejtuar me shkrim prokurorisë së Tetovës, për të na informuar nëse është ende objekt hetimi i prokurorisë apo jo. Megjithatë, nga ana e prokurorisë na është sugjeruar që të mos preket deri në ardhjen e raportit të ekspertëve gjermanë”- thonë nga Spitali klinik i Tetovës.

Policia kriminalistike e Gjermanisë e cila kreu ekspertizë në spitalin e djegur modular refuzoi të zbardhë çfarëdo detaji lidhur me raportin për shkaqet e zjarrit tragjik./alsat


Shtuar 8.01.2022 15:42