4 KËRKESA/ Pezullimi i Ballukut, Qeveria i drejtohet Kushtetueses: Shfuqizo vendimin e GJKKO-së

Zbardhet shkresa e Këshillit të Ministrave drejtuar Kushtetueses lidhur me çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, ndaj të cilës GJKKO vendosi dje dy masa; pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, për shkak të akuzave për shkelje të barazisë në tendera.

Në shkresën e Këshillit të Ministrave kërkohet pezullimi i vendimit të GJKKO për Belinda Ballukun deri në shqyrtimin e çështjes nga Kushtetuesja.

“1. Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.

2. Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.

3. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

4. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”


Shtuar 21.11.2025 19:08