Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia e Elbasanit. Ai akuzohet se ka vjedhur 17 mijë euro në banesën e vëllait të tij në muajin prill të vitit 2023.
Procedohet penalisht bashkëshortja e tij, bashkëpunëtore në këtë vjedhje. Sekuestrohet 1 automjet që dyshohet se është blerë me shumën e parave të vjedhura.
Si rezultat i operacionit “Bathës” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Bathës, në zbatim të urdhrit të ndalimit nga Prokurori, për veprën penale “Vjedhja”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen K. M., 37 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit E. M.).
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më 23.04.2023, kanë vjedhur 17 000 euro në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Bathës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i shtetasit E. M., të cilin ky shtetas dyshohet se e ka blerë me paratë e vjedhura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.